
Kanosi për 21 mijë euro borxh nga bixhozi, arrestohet 35 vjeçari në Suharekë
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar një person nga Suhareka, i cili dyshohet se ka organizuar lojëra bixhozi dhe ka kërcënuar një individ për kthimin e një borxhi prej 21 mijë eurosh.
Sipas ankuesit, ai kishte humbur rreth 9 mijë euro nga lojërat e fatit, ndërsa i dyshuari e ka kanosur dhe detyruar për pagesën e borxhit.
Policia ka sekuestruar një telefon celular për hetime të mëtejshme, ndërkohë që prokurori ka iniciuar hetimet për organizimin e bixhozit të paligjshëm dhe detyrimin. I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
”Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prizren, dje më 11.08.2025 ka pranuar dëshminë e një ankuesi nga një fshat i Suharekës. Ankuesi deklaron se është duke u kanosur dhe detyruar nga një i dyshuar, po ashtu nga një fshat i Suharekës. Bazuar në deklaratën e ankuesit, ai deklaron se para tri viteve ka luajtur lojëra bixhozi në shumën rreth nëntë mije euro, ndërsa i dyshuari tani i kërkon rreth njëzet e një mije euro dhe vazhdimisht e ka kanosur dhe detyruar ankuesin për kthimin e borxhit. Dyshohet se i dyshuari këto lojëra të fatit i ka menaxhuar përmes adresave elektronike nga Zvicra dhe Kosova. Policia ka sekuestruar një telefon me qëllim të ekzaminimit rreth lojërave të organizuara. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i dyshuari është intervistuar në prezencë të mbrojtësit sipas detyrës zyrtare, ndaj tij është iniciuar rasti nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’ dhe ‘detyrimi’. Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari A.L., (viti i lindjes 1990, mashkull kosovar) është ndaluar për 48 orë”.