Kaos në kufijtë e BE’së – Brukseli pranon problemet me EES për hyrjet-daljet në union, por nuk tërhiqet nga sistemi i ri
Kaos në kufijtë e BE’së – Brukseli pranon problemet me EES për hyrjet-daljet në union, por nuk tërhiqet nga sistemi i ri
Komisioni Europian e pranoi se sistemi i ri për regjistrimin e hyrje-daljeve në BE, po shkakton vështirësi në pikat kufitare, ndërsa mijëra udhëtarë janë përballur me pritje të gjata dhe vonesa gjatë sezonit veror.
Një zëdhënës i Komisionit tha se Brukseli është në dijeni të problemeve që kanë shoqëruar zbatimin e sistemit dhe se po bashkëpunon ngushtë me shtetet anëtare për të monitoruar situatën dhe për të gjetur zgjidhje. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka plane për pezullimin e EES-së.
Sistemi në fjalë regjistron në mënyrë elektronike hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jashtë bllokut europian, duke zëvendësuar vulat tradicionale në pasaporta. Gjatë kontrolleve kufitare mblidhen të dhëna biometrike, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë e fytyrës.
Megjithatë, sipas Politico, zbatimi i sistemit ka krijuar kolona të gjata në aeroporte dhe pika kufitare. Shoqatat e kompanive ajrore dhe aeroporteve europiane paralajmërojnë se në disa raste pritjet zgjasin deri në pesë orë, ndërsa shumë udhëtarë kanë humbur fluturimet për shkak të procedurave të ngadalta.
Përfaqësuesit e industrisë së aviacionit i kanë kërkuar KE-së t’u mundësojë shteteve anëtare pezullimin e përkohshëm të sistemit në rastet kur fluksi i udhëtarëve tejkalon kapacitetet e pikave kufitare. Sipas tyre, pa masa shtesë dhe rritje të numrit të personelit, situata mund të rëndohet edhe më tej gjatë kulmit të sezonit turistik në korrik dhe gusht.



