Karantina solli “bum” të shitjes së pijeve alkoolike në ShBA

14 maj 2020 | 14:36

Biznesi për alkoolin po lulëzon në Shtetet e Bashkuara gjatë pandemisë së koronavirusit, ndërsa amerikanët e bllokuar përpiqen të heqin mërzinë dhe ankthet në shtëpi. “Njerëzit që zakonisht blinin një shishe verë tani nuk dalin nga dera pa disa shishe, apo edhe një kuti”, thotë Davis Wills, menaxher në “UnWined”, një dyqan pijesh alkoolike në Aleksandria, Virxhinia, në periferi të Uashingtonit.

Shitjet në dyqanin “UnWined”, që tani ofron blerjet online dhe dërgesat në shtëpi, janë rritur të paktën 30 për qind gjatë muajve të fundit, pasi klientët vazhdojnë të ndjekin udhëzimet për të qëndruar në shtëpitë e tyre.

George Koob, drejtor i Institutit Kombëtar për Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin në Institutin Kombëtar të Shëndetit në Bethesda të Merilendit, thotë se “megjithëse rreth 70 për qind e amerikanëve pinë,”  konsumi i përgjithshëm është rritur ndjeshëm në të gjithë vendin”.

Për shkak se pandemia është duke shkaktuar izolim dhe ankth, Koob thotë se, “individët mund të rrisin konsumin e tyre të alkoolit për të fashitur ndjenjat negative, duke e përdorur atë si një mekanizëm përballimi.

“Ai është i shqetësuar se efektet negative të konsumit të alkoolit mund të rriten mes 14.5 milion njerëzve në Shtetet e Bashkuara në një çrregullim të përdorimit të alkoolit. OBSH rekomandon të shmanget alkooli në tërësi pasi “konsumi mund të përkeqësojë dobësinë e shëndetit”./voa/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësiti i deminimit nga Policia e Kosovës ka larguar mjetin…