Kardiologët e Kosovës: Njerëzit më shumë po vdesin nga problemet shëndetësore në zemër

22 prill 2020 | 10:51

Shoqata e Kardiologëve të Kosovës ka shpërndarë një mesazh sensibilizues në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare në kohën e pandemisë COVID-19. Kjo shoqatë bën të ditur se në vend njerëzit më shumë po vdesin nga problemet e zemrës se nga virusi “Korona”.

Kryetari i Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës, Gani Bajraktari, në një videomesazh ka thënë se sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut mbeten shkaktari kryesor i sëmundjeve dhe vdekshmërisë në botë dhe tek ne, madje edhe në kohën e pandemisë.

“Në Kosovë mesatarisht çdo ditë vdesin 13 veta nga sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut. Shoqata Evropiane e Kardiologjisë ka evidentuar se COVID-19 ka shkaktuar dëme kolaterale serioze te pacientët me sëmundje të zemrës për shkak të hezitimit të pacientëve për të kërkuar ndihmë në spitalet relevante”, ka thënë Bajraktari.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve se, nëse ndjenjë shqetësime, si dhimbje dhe shtrëngime në gjoks, frymëzënie ose çrregullim apo humbje të vetëdijes, duhet të thërrasin menjëherë mjekun familjar ose Qendrën Emergjente më të afërt. Në fund, ai ka bërë apel që të respektohen masat e IKShPK-së për mbrojtje nga virusi “Korona”, siç është distancimi fizik dhe vendosja e mjeteve mbrojtëse.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të lirohen katër persona të cilët kanë qenë…