Karikaturisti që sfidoi censurën me një buzëqeshje

09 korrik 2025 | 08:30

Nga: Soutik Biswas / BBC

“Është e padrejtë të hiqet censura, papritur”, ankohet përmes telefonit një redaktor i moshuar gazete, ndërsa një kopje e The Daily Pulp-it është rri hapur në tryezën e tij. “Duhej të kishim kohë për t’u përgatitur mendërisht”.

Karikatura që përjetëson këtë moment – therëse dhe satirike – është vepër e Abu Abrahamit, një prej karikaturistëve më të shquar politikë të Indisë. Pena e tij thumbonte pushtetin me elegancë dhe mprehtësi, veçanërisht gjatë periudhës së Gjendjes së Jashtëzakonshme, në vitin 1975 – një periudhë 21-mujore me të drejta të pezulluara civile dhe media të heshtur nën sundimin e Indira Gandhit.

Shtypi u hesht brenda natës, më 25 qershor. Shtypshkronjat e gazetave në Delhi mbetën pa energji, dhe deri në mëngjes censura ishte ligj. Qeveria kërkonte që media t’i nënshtrohej vullnetit të saj – dhe, siç do të shprehej më vonë udhëheqësi i opozitës LK Advani, shumë veta “zgjodhën të zvarriteshin”.

Karikaturat e Abusë e pasqyronin qartë servilizmin e medias gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme

Një tjetër karikaturë e famshme nga ajo kohë – të cilat ai i nënshkruante si Abu, sipas pseudonimit të tij – tregon një burrë që i thotë tjetrit: “Çfarë mendon për redaktorët që janë më besnikë se censori”?

Në shumë mënyra, edhe pas gjysmë shekulli, karikaturat e Abusë vazhdojnë të tingëllojnë si të vërteta.

Aktualisht, India renditet e 151-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit – hartuar çdo vit nga Reporterët pa Kufij. Kjo renditje pasqyron shqetësimet në rritje për pavarësinë e medias nën qeverinë e kryeministrit Narendra Modi. Kritikët pretendojnë për presion të shtuar dhe sulme ndaj gazetarëve, media të nënshtruara dhe një hapësirë gjithnjë e më të ngushtë për zërat kundërshtues. Qeveria i hedh poshtë këto pretendime, duke këmbëngulur se media vazhdon të jetë e lirë dhe kumbuese.

Një nga karikaturat ikonike të Abusë nga koha e Gjendjes së Jashtëzakonshme paraqet presidentin Fakhruddin Ali Ahmed duke nënshkruar shpalljen nga vaska e tij

Pas gati 15 vjetëve duke vizatuar karikatura në Londër për The Observer dhe The Guardian, Abu u kthye në Indi në fund të viteve ’60 të shekullit XX. Ai iu bashkua gazetës Indian Express, si karikaturist politik, në një kohë kur vendi po përballej me trazira të mëdha politike.

Më vonë shkroi se paracensura – që kërkonte që gazetat dhe revistat t’ua paraqitnin raportet e tyre të lajmeve, editorialet madje edhe reklamat censurës shtetërore, përpara botimit – filloi dy ditë pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme, u hoq pas disa javësh dhe më pas, një vit më vonë, u rikthye për një periudhë më të shkurtër.

“Për pjesën tjetër të kohës nuk pata asnjë ndërhyrje zyrtare. Nuk jam shqetësuar të zbuloj pse më lejuan të vazhdoj i lirë. Dhe, nuk më intereson ta marr vesh”.

Shumë nga karikaturat e Abusë nga periudha e Gjendjes së Jashtëzakonshme janë bërë ikonike. Njëra prej tyre paraqet presidentin e atëhershëm Fakhruddin Ali Ahmed duke nënshkruar shpalljen nga vaska e tij – një satirë që pasqyron nxitimin dhe neglizhencën me të cilën u mor ky vendim (Ahmedi nënshkroi dekretin për Gjendjen e Jashtëzakonshme të cilin Gandhi e kishte përgatitur pak para mesnatës, më 25 qershor).

Ndër veprat më goditëse të Abusë janë disa karikatura me vulën e madhe: “Nuk është miratuar nga censura” – një dëshmi e qartë e shtypjes zyrtare.

Në njërën prej tyre, një burrë mban një pankartë ku shkruhet: “Buzëqesh!” – një thumbim i lehtë ndaj fushatave të detyruara të pozitivitetit të qeverisë, gjatë asaj periudhe. Shoku i tij, me fytyrë të ngrirë, thotë: “A nuk mendon se kemi një censurë të mrekullueshme të humorit”? – një frazë që shpon në zemër entuziazmin e rremë të imponuar nga shteti.

Një tjetër karikaturë, në dukje e padëmshme, tregon një burrë në tavolinën e punës teksa psherëtin: “Treni im i mendimit ka dalë nga shinat”. Një tjetër shfaq një protestues që mban një pankartë ku shkruhet “SaveD democracy” [Shpëto demokracinë/Demokracia e shpëtuar] – me shkronjën “D” të shtuar sipër, si për të treguar se vetë demokracia ishte një mendim i rishqyrtuar më vonë.

Ndër veprat më goditëse të Abusë janë disa karikatura të censuruara, të vulosura me ngjyrën e vetë censurës

Veprat e Abusë ishin thellësisht politike. “Kam arritur në përfundimin se nuk ekziston asgjë jopolitike në botë. Politika është thjesht gjithçka që është e diskutueshme – dhe gjithçka në botë është e diskutueshme”, shkroi ai në revistën Seminar në vitin 1976.

Ai gjithashtu shprehu keqardhje për disponimin – të tendosur dhe të fabrikuar – kur shtypi ishte i mbytur.

“Po të mund të prodhohej humori i lehtë në një fabrikë, publiku do të rendte të rrinte në radhë, gjithë ditën, nëpër dyqanet tona të racionit ushqimor. Meqë gazetat tona po bëhen gjithnjë e më të mërzitshme, lexuesi, i mbytur në monotoni, kapet pas çdo shakaje. Edicionet e lajmeve të AIR-it [radioja shtetërore e Indisë] sot tingëllojnë si fjalimet vjetore të një drejtori të përgjithshëm. Fitimet renditen me kujdes dhe hollësi, ndërsa humbjet ose anashkalohen, ose minimizohen. Aksionarët mbesin të sigurt”, ka shkruar Abu.

Në një kolumne ironike për Sunday Standard në vitin 1977, Abu e përqeshi kulturën e servilizmit politik përmes një rrëfimi fiktiv për një mbledhje të “Shoqatës së Servilëve të të Gjithë Indisë” [All India Sycophantic Society].

Parodia përfshinte presidentin imagjinar të shoqatës duke shpallur: “Servilizmi i vërtetë është jopolitik”.

Monologu satirik vazhdonte me deklarata tallëse si: “Servilizmi ka një traditë të gjatë dhe historike në vendin tonë … ‘Servilizëm para vetes’ është motoja jonë”.

Abu e vuri në shënjestër edhe Sanjay Gandhin, djalin e pazgjedhur dhe kontrovers të Indira Gandhit

Parodia e Abusë kulmoi me vizionin e shoqatës imagjinare të servilëve: “Të prekim çdo këmbë të mundshme dhe të promovojmë një program të gjerë servilizmi”.

I lindur me emrin Attupurathu Mathew Abraham në shtetin jugor të Keralës në vitin 1924, Abu e nisi karrierën si gazetar në Bombay Chronicle, një gazetë nacionaliste, i shtyrë jo aq nga ideologjia, sa nga mahnitja me fuqinë e fjalës së shkruar.

Vitet e gazetarisë së tij përkonin me udhëtimin dramatik të Indisë drejt pavarësisë, dhe ai ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i euforisë që përfshiu Bombajin (sot Mumbain). Duke reflektuar më vonë mbi shtypin, ai shkroi: “Shtypi sillet sikur është një kryqtar, por në të vërtetë është më shpesh si një ruajtës i gjendjes ekzistuese”.

Pas dy vitesh në Shankar’s Weekly, një revistë e njohur satirike, Abuja hodhi sytë drejt Evropës. Një takim i rastësishëm me karikaturistin britanik Fred Joss, në vitin 1953, e çoi në Londër ku shpejt la gjurmë.

Karikatura e tij debutuese u pranua nga revista Punch brenda një jave nga mbërritja, duke marrë lëvdata nga redaktori Malcolm Muggeridge si “e këndshme”.

Duke punuar si i pavarur për dy vjet në skenën konkurruese të Londrës, karikaturat politike të Abusë filluan të shfaqeshin në Tribune dhe tërhoqën vëmendjen e redaktorit të The Observer-it, David Astor.

Një karikaturë e Abusë shënon momentin kur Indira Gandhi shpalli zgjedhjet e vitit 1977, duke i dhënë fund Gjendjes së Jashtëzakonshme. Ajo i humbi ato zgjedhje

Astori i ofroi një vend të përhershëm në staf të gazetës.

“Ti nuk je mizor si karikaturistët e tjerë, dhe puna jote është pikërisht ajo që po kërkoja”.

Në vitin 1956, me sugjerimin e Astorit, Abrahami mori nofkën “Abu”, dhe më vonë shkroi: “Ai ma shpjegoi se çdo Abraham në Evropë do të merrej si hebre, dhe karikaturat e mia do të interpretoheshin me një shtrembërim të pavend – ndërkohë që unë as nuk isha hebre”.

Astori gjithashtu i garantoi atij liri krijuese: “Nuk do të të kërkohet kurrë të vizatosh një karikaturë politike që shpreh ide me të cilat nuk pajtohesh personalisht”.

Abu punoi për The Observer për 10 vjet dhe më pas tre vjet në The Guardian, përpara se të kthehej në Indi në fund të viteve ’60 të shekullit XX. Më vonë shkroi se ishte “mërzitur” nga politika britanike.

Përtej karikaturës, Abu shërbeu si anëtar i Dhomës së Sipërme të Parlamentit të Indisë – nga viti 1972 deri më 1978. Në vitin 1981, ai nisi serinë humoristike Salt and Pepper, një strip që u botua për gati dy dekada, duke kombinuar satirën e lehtë me vëzhgime të jetës së përditshme. U rikthye në Keralë në vitin 1988 dhe vazhdoi të vizatonte dhe të shkruante deri në vdekjen e tij në vitin 2002.

Por, trashëgimia e Abusë nuk kishte të bënte vetëm thumbimin – ajo kishte të bënte me të vërtetat e thella që zbulonte humori i tij.

Siç kishte vërejtur vetë njëherë: “Nëse ndokush ka vërejtur një rënie në të qeshura, ndoshta arsyeja nuk është frika për të qeshur me autoritetin, por ndjesia se realiteti dhe fantazia, tragjedia dhe komedia janë përzier disi me njëra-tjetrën”.

Pikërisht kjo përzierje absurde mes së vërtetës dhe të pabesueshmes i jepte shpesh veprës së tij forcën thumbuese.

“Çmimi për shakanë e vitit”, shkroi ai gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, “duhet t’i jepet atij reporteri të agjencisë së lajmeve indiane në Londër që, me miratim, citoi një koment të një gazete britanike mbi Indinë nën Gjendjen e Jashtëzakonshme, ku thuhej se ‘trenat po ecin në kohë’ – pa kuptuar se kjo ka qenë gjithmonë shaka standarde në anglisht për Italinë e Mussolinit. Kur kemi naivë të tillë jashtë vendit, s’na duhen më humoristët”. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në epokën e komunikimit digjital, ku WhatsApp, Telegram dhe Messenger…