Kasami, Destani, Duka, Ademi dhe Omeragiç inspektojnë punimet në stadiumin e Tetovës, projekti hyn në fazën vendimtare
Punimet në stadiumin e ri të Tetovës po avancojnë me ritëm të shpejtë, ndërsa sot kompleksin sportiv e inspektuan kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani, presidenti i FShF-së Armand Duka, presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe nikoqiri, presidenti i FFM-së, Masar Omeragiç.
Gjatë vizitës, kryetari Kasami ka theksuar se Tetova po i afrohet një prej projekteve më të rëndësishme sportive të viteve të fundit.
“Ne besojmë që në momentin më të shpejtë të përfundojë stadiumi dhe Tetova do të jetë qendër e futbollit pas Shkupit”, ka thënë Kasami.
Edhe kreu i FShF-së, Armand Duka, ka vlerësuar progresin në kantier, duke nënvizuar ndryshimin e madh që po merr arena e qytetit. “Ka qenë një stadium në gjendje të mjerueshme, por tani është një projekt i bukur dhe shpresoj të përfundojë sa më shpejt”, ka thënë Duka.
Duka nuk ka ardhur duarbosh në Tetovë. Ai ua ka dhuruar nga një fanellë të personalizuar të Kombëtares shqiptare, Lazim Destanit, Masar Omeragiçit dhe Bilall Kasamit, si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e tyre ndaj futbollit shqiptar.
Nga ana e tij, biznesmeni Lazim Destani është shprehur se ky projekt përmbush një ëndërr të kahershme si të qytetarëve, ashtu edhe të tifozëve tetovarë.
“Ëndrra e të gjithë neve dhe veçanërisht e tifozëve është duke u realizuar. Për stadiumin kam pasur vetëm dy dëshira, e para tani më është realizuar pra ta fillojmë nga zero dhe e dyta është ti shpejtojmë punët, që ta përfundojmë projektin para afatit”, ka thënë Destani.
Ndërkohë, Masar Omeragiç, ka thënë i se punimet po ecin sipas planit dhe se stadiumi do t’i japë Tetovës standardet moderne që i ka munguar prej dekadash.
Me përfundimin e projektit, Tetova pritet të marrë vendin e merituar në hartën sportive të vendit, duke sjellë ndeshje të nivelit të lartë dhe një infrastrukturë bashkëkohore për futbollin e vendit dhe rajonit. Stadiumi i ri dhe modern i Tetovës pritet të jetë i kategorisë 4 dhe do të ketë 10 mijë ulëse.



