Drejtoresha e Statistikave të Suedisë viziton ASK-në, diskutohet për thellimin e bashkëpunimit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) më 27 dhe 28 nëntor 2025 priti për vizitë zyrtare drejtoreshën e përgjithshme të Statistikave të Suedisë (SCB), Eva-Lo Ighe, shoqëruar nga ekipi i saj.
Statistikat e Suedisë (SCB) në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), kanë qenë ndër mbështetësit kryesorë të ASK-së që nga viti 2001.
Gjatë kësaj periudhe, ASK-ja ka përfituar përvojë dhe ekspertizë në fusha të ndryshme profesionale, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve dhe modernizimin e proceseve statistikore në vend.
Bashkëpunimi ASK-SCB/Sida synon harmonizimin e metodologjive statistikore me standardet e Eurostat-it dhe avancimin e integrimit të statistikave të Kosovës në Sistemin Statistikor Evropian (ESS).
Të dyja palët vlerësuan lartë rezultatet e arritura deri më sot, duke theksuar se përvoja e ndarë ka sjellë përfitime të rëndësishme dhe ka forcuar kapacitetet profesionale të ASK-së.
Gjatë takimeve, u diskutuan komponentët kryesorë të projektit aktual SCB-Sida, progresi i arritur dhe fushat me prioritet për bashkëpunim të ardhshëm.
Palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin në përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejmë të statistikave zyrtare të Kosovës.



