Katari thotë se armëpushimi në Gazë nis mëngjesin e së premtes

23 nëntor 2023 | 16:12

Katari ka njoftuar se armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian  do të nisë orën 7:00 të mëngjesit të së premtes.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, në një konferencë për media në Doha, ka thënë se ndihma për në Rripin e Gazës “do të nisë të dërgohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Armëpushimi është pritur që të nisë pasi është arritur marrëveshja të mërkurën, por palët ende po zgjidhin disa detaje të fundit.

Marrëveshja që është arritur me ndërmjetësimin e Katarit, parasheh lirimin e 50 pengjeve – gra dhe fëmijë që janë zënë rob nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit në jug të Izraelit.

Në këmbim, Izraeli do të lirojë rreth 150 palestinezë të burgosur.

Al-Ansari ka thënë se grupi i parë i civilëve të marrë peng do të lirohet rreth orës 16:00. Sipas tij, do të lirohen 13 gra dhe fëmijë.

Hamasi ka marrë afër 240 pengje gjatë sulmeve të 7 tetorit që nxitën luftën në Rripin e Gazës.

Si pasojë e dhunës, 1 200 persona janë vrarë në Izrael dhe mbi 13 mijë në Rripin e Gazës. Ky territor palestinez, i banuar me 2.3 milionë persona është rrethuar nga Izraeli dhe ka qenë cak i sulmeve të pandërprera ajrore dhe tokësore.

Marrëveshja e armëpushimit parasheh edhe lejimin që më shumë ndihmë të arrijë për palestinezët në Gazë. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryenegociatorja e Kosovës,  Edita Tahiri, ka reaguar pas zjarrit në…