KATËR DITË PËR PAFUNDËSINË

18 maj 2021 | 15:41

(Dëshmorëve dhe të rënëve të Masakrës së Dubravës, 19-23 maj 1999)

Nga Besim Zymberi

Ishim bashkë dhe po bisedonim
Për dashurinë, jetën, për kaltërsinë
Kur krahët e vdekjes sipër na fluturonin
Si shkëndija drite për pafundësinë

Ti po më thoje që, nesër, me të gdhirë
Do ta sodisje një lindje, me buzëqeshje
E mbaj mend, të kuptova atëbotë aq mirë
Ndonëse s’ta thashë, përveç me heshtje…

Sakaq një bisht zjarri, si në përrallë
Pas tij nuk vonoi dhe një i dytë
Po prisja si ti, edhe unë në radhë
Të më zbriste qielli vetë tek sytë

Dikush mund ta quajë të tërën, marrëzi…
Që prisja dhe në sytë e mi një qiell
Por, ti s’mendon kështu, e di
Tek sa m’i ngroh ditët si diell

Ishim bashkë atëherë dhe bisedonim
Për dashurinë, jetën, për kaltërsinë
Sot kur qielli të ka vënë medaljonin
Mua ma farvurit si puhizë-Lirinë…

Nuk mundëm bashkë të fluturonim
Për në krahët tu ndjek unë pafundësinë…

(Autori është ish i burgosur dhe i mbijetuar i masakrës së Dubravës)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Informaliteti i punës është një fenomen i përhapur në vendet…