Katër koncerte të jashtëzakonshme në një vikend jo të zakonshëm

28 prill 14:02

Shkruan: Ismet Bexheti

Këto muaj jemi dëshmitarë të një jonormaliteti që po mbretëron në botë, e gjithashtu edhe tek ne në Kosovë. Heronjtë e këtyre ditëve padyshim janë mjekët, të pasuar nga policët, ushtarët, zjarrfikësit dhe individët e shoqatat vullnetare e tjerë, të angazhuar maksimalisht në betejën e jashtëzakonshme për ruajtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve të rrezikuar nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

Në mbështetje të tyre dhe jo vetëm për këtë, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, të shtunën e 25 prillit nisi koncerti i parë i këtij vikendi, koncerti solistik i Sabri Fejzullahut.

Ky ishte koncerti më i veçantë që kemi parë ose që do të kemi rastin ta përjetojmë ndonjëherë. Një përvojë e papërsëritur në një stadium pa asnjë shikues por me teknikë zëri që shpërthen tribunat për të gjarpëruar rrugëve të Prishtinës si mbështetje për heronjtë e kësaj lufte me armikun e padukshëm e gjithashtu edhe përmes rrjetit televiziv e platformave të tjera duke depërtuar në çdo banesë e shtëpi për të përcjellë mesazhin “Rri n’shtëpi, shpëto jetë”.

Sabri Fejzullahu, edhe kësaj here e më shumë se asnjëherë me vrullin shpërthyes dhe me këndimin e tij djaloshar prej artisti dhe plot temperament e dëshmoi se shpirti s’plaket kurrë. Me një repertor të mrekullueshëm të këngëve të tij ndër vite në shoqërim brilant të pianos, reflektoi një vlerë të lartë muzikore e cila jo vetëm të bën për vete por edhe të fisnikëron shpirtin.

Me përfundimin e këtij koncerti real pason koncerti tjetër virtual. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Shota shfaq koncertin virtual në bashkëpunim me Oxygen-in, shoun televiziv i cili personifikohet me moderatorin e pakontestueshëm dhe unik, Besim Dinën. Një mozaik i bukur i formacionit muzikor i krijuar nga instrumentistë që performonin në mënyrë kulminante veç e veç nga shtëpitë e tyre, një realizim edhe vizuel siç jemi mësuar të shohim në këtë kohë pandemie, një frymë e burimit tonë muzikor, padyshim është meritë që i takon më së shumti muziktarit të dëshmuar e udhëheqësit artistik, Ylber Asllanit.

Doajeni i Ansamblit dhe i këngës popullore në Kosove e gjetiu, Ismet Bogujevci, Riza Bytyqi me zërin e mrekullueshën lirik, Mirvete Bajrami – Haziri, Majlinda Cikaqi dhe Liridon Sadriu përmes këngëvë të zgjedhura na e bënë një “shëtitje” nëpër kopshtin e bukur të këngës popullore shqipe.

Nga mesdita e së dielës nisi koncerti maratonik i dy këngëtarëve veteranë, duetit të pazëvendësueshëm Jetishi dhe Doli, i realizuar herë eksterier e herë interier. Shkëlzen Jetishi- Xeni, një këngëtar shumë i dashur dhe që i ka dhënë shumë muzikës popullore edhe në rrafshin mbarëkombëtar, me këtë koncert të jashtëzakonshëm sikur sfidonte shumëçka. Madje u sfidua edhe koronavirusi duke bërë që qytetarët të shkelin masat e caktuara nga institucionet, sikur donin të rikujtonin se Gjakova jo vetëm që është zemra e këngës por këngën popullore e ka tepër për zemër.

Në mbrëmje, Filharmonia e Kosovës transmeton në FB koncertin e radhës në serinë e koncerteve të planifikuara në kohën e izolimit. Në programin e saj ishte Rekuiemi në d-mol i Mozartit. Me gjithë vlerën e lartë të kësaj vepre, si dhe veprave të tjera të transmetuara në javët paraprake nga kompozitoret evropianë e madje edhe botërorë, do të ishte e preferueshme që për shumë arsye, në Fb të transmetohen sa më shumë veprat e krijuesve shqiptare edhe pse herave tjera në program nuk kanë munguar edhe veprat e tilla.

Vikendi muzikor përfundon me duartrokitjet frenetike në përfundim të mbrëmjes kocertale të muzikës klasike drejtuar solistëve, korit si dhe orkestrës së filharmonisë së Kosovës dhe me lulet plot drejtuar dirigjentit Rafet Rudi, kompozitorit tonë, pa të cilin jo vetëm jeta muzikore por edhe krijimtaria e muzikës shqiptare do të ishte shumë e zbehtë.

Një vikend me katër koncerte të tre zhanreve popullore, të popullarizuar dhe klasike, duke i shtuar edhe përformimet e grupeve dhe këngëtarëve të tjerë, është treguesi më i mirë i përkushtimit të muzikbërësve në Kosovë të cilët gjë parësore e kanë publikun dhe nuk e zgjedhin mënyrën e as vendin për të realizuar komunikimin artistik me publikun. Andaj institucionet shtetërore do të duhej që këtij komuniteti t’ia japin vendin e merituar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e mirënjohur, Rita Ora gjatë kësaj pandemie po qëndron…