Katër skuadra duan trofeun e çmuar të Ligës Unike

13 prill 2021 | 09:28

Mesjava në Durrës pritet të jetë shumë e ‘nxehtë’. Të martën dhe të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale të Ligës Unike, takimi për vendin e tretë dhe finalja e madhe. Të gjitha ndeshjet zhvillohen në palestrën “Dhimitraq Goga” në Durrës.

Rahoveci – Peja është gjysmëfinalja e parë dhe shumë interesante. “Vreshtarët” u kualifikuan në gjysmëfinale pa lojë, pas tërheqjes së Teutës, ndërsa Peja ishte më e mirë se Vllaznia e Shkodrës. Të dyja skuadrat duan depërtimin në finale dhe ta fitojnë trofeun e çmuar që është historik, pasi është hera e parë që zhvillohet një ligë mes Kosovës e Shqipërisë në sportet kolektive.

Basketbollisti i Rahovecit, Alban Veseli, është shprehur se rëndësi ka jetësimi i kësaj lige. “Mendoj se më shumë sesa rezultatet ekipore, rëndësi ka jetësimi i kësaj lige. I përshëndes të dyja federatat (Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë) për finalizimin e këtij projekti madhështor. Sa i përket ndeshjes ndaj Pejës, do të jetë e paparashikueshme, duke marrë parasysh kualitetin e të dy skuadrave”, ka thënë Alban Veseli për faqen zyrtare të Ligës Unike.

Edhe për Dardan Berishën, kjo ligë është historike. “Sigurisht se e përkrahim Ligën ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo është një ëndërr e realizuar për shumë shqiptarë. Besoj se kjo Ligë është shumë interesante dhe me interes për publikun mbarëshqiptar”, ka thënë Berisha.

Goga Basket pasi mundi Tiranën do të ballafaqohet me Golden Eagle Yllin, që e mundi Sigal Prishtinën. Ky duel pritet të jetë shumë interesant, duke marrë parasysh cilësitë e dy skuadrave. Goga ka synim të fitojë çdo trofe të mundshëm këtë edicion, kurse Ylli, që ka bërë shumë investime, e dëshiron trofeun e parë të Ligës Unike, që njëkohësisht do të ishte trofeu i parë në histori të klubit. Takimet për shkak të masave kundër Covidit do të zhvillohen pa praninë e tifozëve, përkundër interesimit të jashtëzakonshëm. Më 14 prill nga ora 16:00 do të zhvillohet ndeshja për vendin e tretë, derisa finalja e madhe zhvillohet nga ora 19:00.

ORARI

13 prill
16:00 Gjysmëfinalja e parë: Rahoveci-Peja
19:00 Gjysmëfinalja e dytë: Goga Basket-Golden Eagle Ylli

14 prill
16:00 Ndeshja për vendin e tretë
19:00 Finalja e madhe

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara…