“Kcimi i Tropojës” pritet të mbrohet nga UNESCO-ja

11 prill 20:10

Shqipëria synon që ta fusë nën mbrojtje të UNESCO-s atë që njihet si “Kcimi i Tropojës”.

Kjo valle konsiderohet si një ndër thesaret më të çmuara të trashëgimisë kulturore e artistike të Shqipërisë. Është presidenti i vendit, Ilir Meta, ai që ka shprehur bindjen se ajo duhet të bëhet pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.

Presidenti Meta ka takuar të mërkurën kryetarin e shoqatës “Kcimi i Tropojës”, Skënder Haklaj, me të cilin, siç kanë raportuar mediat shqiptare, ka ndarë bindjen se është e domosdoshme që kjo pasuri e Malësisë së Gjakovës të merret nën mbrojtje nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë, e t’i prezantohet botës si veçanti në mesin e kulturës botërore.

“’Kcimi i Tropojës’, një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë kulturore e artistike të kombit tonë, duhet të promovohet edhe më tej, për t’u bërë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Shumë i lumtur të takoja sot kryetarin e shoqatës ‘Kcimi i Tropojës’, Skënder Haklaj, me të cilin ndamë bindjen për domosdoshmërinë e ruajtjes së kësaj pasurie folklorike të Malësisë së Gjakovës dhe bërjen e saj pjesë të UNESCO-s, së bashku me pasuritë e tjera kulturore shqiptare”, citohet të ketë thënë Meta.

Vallja apo “Kcimi i Tropojës” është e lashtë sa vetë popullsia e kësaj krahine, dhe është karakteristike vetëm për këtë zonë në veri të Shqipërisë. Kjo pasuri e çmuar kombëtare është shpallur nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave, si pjesë e listës së kryeveprave të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Prej trashëgimisë shpirtërore shqiptare, është Iso-polifonia popullore shqiptare, ajo që gëzon mbrojtjen e UNESCO-s. Më 25 nëntor të vitit 2005 ajo u shpall “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, e mbrojtur nga kjo organizatë. Juria Ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, shqyrtoi mbi 60 kandidatura të propozuara për t’u përfshirë në listën “Kryevepër e njerëzimit”, propozime të bëra në rrugë zyrtare nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës, duke plotësuar dosjet dhe kriteret e shpallura për këtë qëllim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën organizimin e Shtëpisë së Evropës në Paris (Maison de…