Ministrja Hoxha në Paris: E ardhmja e Kosovës është në BE

11 prill 2019 | 20:03

Nën organizimin e Shtëpisë së Evropës në Paris (Maison de l’Europe), Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha mori pjesë në diskutimin me temën: “Kosova 20 vite pas luftës dhe perspektiva e saj evropiane”, ku foli për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe vizionin e Kosovës drejt integrimit në BE.

“Kosova ka shënuar arritje në fushën e reformave, plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave, dhe mbetemi të vendosur që vazhdimisht të përmirësojmë rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar ministrja Hoxha.

“Ne e kemi të qartë se ku po shkojmë, shtoi ajo, por ne kemi nevojë për mbështetje dhe për një qasje konstruktive nga ana e BE-së, duke qenë se vizioni ynë për të ardhmen është i lidhur ngushtë me anëtarësimin tonë në BE”, ka thënë ajo.

Duke shprehur nevojën për liberalizim të vizave, ministrja Hoxha vlerësoi se ky proces do të ndikonte në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor – sidomos në zgjerimin e mundësive për rininë tonë, si përfaqësuese e vlerave të BE-së.

Lidhur me zhvillimet e fundit në vend, ministrja Hoxha vuri në dukje se Kosova ka dëshmuar që është një shembull i bashkëpunimit, promovuese e marrëdhënieve të mira fqinjësore, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më tej –  në rrugën tonë drejt BE-së.

Në fund, ministrja Hoxha i shprehu falënderim shtetit francez për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme ndaj Kosovës para dhe gjatë procesit të shtetndërtimit, si aleat dhe partner i besueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Labinot Ibrahimi është një ndër lojtarët më të vjetër të…