KDI-ja: Kuvendi në 2019-ën, me zero performancë në mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve

12 korrik 2019 | 12:19

Kuvendi i Kosovës dhe trupat e tij edhe pse si përgjegjësi kryesore kanë mbikëqyrjen e zbatimin të ligjeve, këtë funksion e përmbushin në shkallë minimale dhe pa një metodologji efikase. Nga janari deri në korrik të këtij viti Kuvendi nuk ka arritur të mbikëqyr zbatimin e asnjë ligji, kurse gjatë vitit që shkoi komisionet parlamentare kanë realizuar vetëm një mbikëqyrje, duke përmbushur vetëm 4 për qind të planifikimeve vjetore në këtë drejtim.

Lidhur me këtë performancë të ulët, Kuvendi është kritikuar në çdo raport të Komisionit Evropian, tash e 10 vite.

Këto të dhëna janë publikuar sot gjatë një konference për medie të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), në të cilën është prezantuar një analizë mbi mbikëqyrjen e ulët të zbatimit të ligjeve nga Kuvendi. Në këtë konferencë është theksuar se performanca e ulët e Kuvendit në këtë pikë është kryesisht rezultat i disa faktorëve të brendshëm të këtij institucioni.

Artan Murati nga KDI-ja ka theksuar se krahas raporteve ndërkombëtare, ky institut në raportet e tij periodike për punën e Kuvendit, e ka cilësuar mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve si pikën më të dobët të Kuvendit, duke vlerësuar se deputetët në vazhdimësi nuk e kanë trajtuar me seriozitet këtë çështje.

“Kuvendi ka dështuar në përmbushjen e objektivave të veta minimale lidhur me monitorimin e zbatimit të ligjeve, si në planifikimin ashtu edhe në realizimin e planeve të punës së komisioneve”, ka thënë ai.

Kurse, Blerta Aliu nga KDI-ja ka listuar shkaktarët që ky institut ka identifikuar lidhur me numrin e ulët të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

Sipas saj zbrazëtirat ligjore në Rregulloren e Punës së Kuvendit, mungesa e metodologjisë së mbikëqyrjes së punës së komisioneve, mungesa e kapaciteteve dhe mos-shfrytëzimi i resurseve financiare të komisioneve, mos-miratimi i raporteve të komisioneve për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit në seanca plenare si pasojë e mungesës së kuorumit janë shkaktarët kryesorë që po ndikojnë në mbikëqyrje të ulët të zbatimit të ligjeve.

“Faktorë të tjerë që po ndikojnë në këtë performancë të ulët sipas saj janë edhe injorimi i të gjeturave të komisionit nga ana e ekzekutivit, neglizhenca e deputetëve si dhe volumi i punës në komisione janë shkaktarët kryesor që po ndikojnë në numrin e ulët të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve nga ana e komisioneve parlamentare”, ka thënë Aliu.

Ajo ka theksuar se komisionet parlamentare në planet e tyre të punës vazhdojnë të reflektojnë joproporcionalisht rolet dhe përgjegjësitë që kanë.

“Shqyrtimi i projektligjeve është aktiviteti kryesor, ndërsa mbikëqyrja është aktiviteti më margjinal. Për ilustrim, planet e punës së 14 komisioneve parlamentare për 2019 përfshijnë shqyrtimin e 116 projekt-ligjeve, ndërsa monitorimin e vetëm 23 prej tyre”, ka thënë ajo.

Sipas Aliut, në vitin 2019, shtatë nga katërmbëdhjetë komisionet e Kuvendit nuk kanë diskutuar asnjëherë për çështjen e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

Në mënyrë që të evitohen problemet e lartcekura, KDI-ja ka rekomanduar ndër të tjera që komisionet parlamentare, në planet e tyre të punës të shpërndajnë në mënyrë proporcionale funksionet dhe përgjegjësitë që lidhen me ligjbërjen dhe mbikëqyrjen dhe t’i rishikojnë praktikat e përcaktimit dhe përzgjedhjes së ligjeve për mbikëqyrje.

Po ashtu është rekomanduar që Kuvendi i Kosovës të adoptojë një metodologji të qëndrueshme dhe praktike me të cilën do të shërbeheshin komisionet parlamentare gjatë ushtrimit të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

Gjithashtu Kuvendi në mënyrë të vazhdueshme duhet të kërkojë llogari dhe informata nga Qeveria lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raportet e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve. Kuvendi i Kosovës duhet të marrë në konsideratë edhe sigurimin e ekspertizës së nevojshme që të realizohet mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve në formë adekuate. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet t’i përmbushin obligimet dhe të kontribuojnë në mënyrë kualitative në grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, duke mos e neglizhuar dhe zvarritur procesin.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përse më parë askujt nuk i ka rënë ndërmend kjo…