KDI-ja: Rruga e Dukagjinit, autostradë apo zgjerim i rrugës ekzistuese?!

19 shkurt 2020 | 15:12

Analiza e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) e publikuar në tryezën e së mërkurës kishte për qëllim të vlerësonte nëse vendimi i qeverisë së kaluar lidhur me investimin kapital “Autostrada e Dukagjinit” reflekton prioritetet dhe nevojat e qytetarëve të saj dhe nëse është i përballueshëm për kuletën e shtetit.

KDI tenton të hedhë dritë mbi këtë proces planifikimi dhe të analizojë se si ky projekt arriti të devijojë nga projeksioni fillestar për zgjerimin e rrugës ekzistuese në projekt për Autostradë.

Gjatë elaborimit të gjetjeve kryesore, Fjolla Uka nga KDI-ja ka theksuar se vendimit të qeverisë për projektin e autostradës së Dukagjinit, nuk i kishte paraprirë një studim i fizibilitetit dhe një analizë e kostove dhe përfitimeve, të cilat, sipas saj, do të mbështesnin vendimin për ridestinimin e projektit, nga zgjerimi i rrugës ekzistuese në autostradë.

“Për më tepër, ky investim nuk ishte paraparë në dokumentet strategjike si Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Plani i Qeverisë 2017-2019. Këto dokumente mbështesin vetëm rikonstruimin e rrugës ekzistuese Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren (R-107)”, ka thënë Uka.

Sipas KDI-së, jetësimi i këtij investimi do të mund të ndikonte negativisht në fusha tjera me prioritet të parapara me SKZH, si arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit e punësimi. Sa për ilustrim, kostoja reale në raport me përfitimet e planifikuara në autostradën “Arben Xhaferi” ka treguar se ky investim ka pasur kosto më të lartë sesa përfitimet. Edhe ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit e parashikuar të kushtojë mbi 1 miliardë euro do të mund të prodhonte efektet e njëjta.

Ali Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga subjekti politik AAK, ka arsyetuar këtë vendim të Qeverisë me nevojën e investimeve në zonën e Dukagjinit që ka rreth 600,000 banorë dhe me konsultimet publike që janë mbajtur në këto komuna. Ai ka vlerësuar se studimi është i vonuar, dhe kthimi në projeksionin për zgjerim nuk është i qëndrueshëm. Sipas tij,cenimi i këtij projekti është i dëmshëm për zhvillimin ekonomik të kësaj zone.

Betim Reçica, sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës, duke mbështetur ndërtimin e autostradës në rëndësinë e lidhjes së rajonit me korridoret evropiane, ka thënë se nëse ky investim ndahet në segmente, nuk do të ndihej mungesa e investimeve në fusha tjera prioritare, dhe nëse do të menaxhohej mirë, nuk do të kishte efekt negativ në borxhin publik.

Hajrullah Çeku, deputet i Kuvendit të Kosovës nga LV-ja, ka thënë se që ka përpjekje që lidhur me këtë projekt të krijohet sentimenti anti-Dukagjin, ndërsa ka theksuar se megainvestimet si ky, ndonëse të nevojshme duhet të jenë rentabile.

Ai vuri theks edhe në ndikimet mjedisore, sociale e kulturore që ndërtimin i autostradave mund te sjellë.

Ferat Shala, deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, ka theksuar se shkalla e kthimit të investimeve nga autostrada, nuk është vetëm financiare, por edhe kulturore e sociale.

Ai lidhi ndërtimin e saj me zhvillimin e turizmit në zonën e Dukagjinit dhe shtimin e sigurisë rrugore.

Përfaqësuesi i Këshillit të banorëve të Rahovecit, Suad Çmega përsëriti se MI-ja kishte ndërruar variantin e trasesë fillestare së autostradës në diskutimin e tretë publik, me të cilin nuk ishin pajtuar banorët e Rahovecit, pasi që kyçja në autostradë ishte shumë larg.

Ai po ashtu përmendi mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve për të kundërshtuar këtë variant që nuk ishte marrë parasysh.

Shumica e të pranishmëve theksuan nevojën për depolitizim të debatit, ndërsa konfirmuan që për ketë projekt nuk kishte një plan të mirëfilltë fizibiliteti, e i cili është i domosdoshëm për vendim-marrje strategjike lidhur me investimet kapitale.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me metodologjinë e re të Bashkimit Evropian, procesi i zgjerimit…