
KDI: Kosova ka ende punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021 të Transparency International, i cili përdorë një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero deri në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë shoqëri pa korrupsion.
Përkundër progresit të lehtë që ka pasur Kosova në luftën kundër korrupsionit, sipas këtij indeksi, Arben Kelmendi nga IKD-ja ka thënë se ka ende shumë punë për tu bërë.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se tri pikët që Kosova i kishte humbur në tri vitet e kaluara, i ka rikthyer.
“Raporti i Transparency International thekson se në Kosovë ka pasur transfer paqësor pushteti mes qeverive në vitet e fundit dhe Kosova është i vetmi vend në rajon dhe një nga vetëm pesë vendet në Evropë që, gjatë periudhës së pandemisë, nuk i transferoi kompetencat vendim-marrëse tek ekzekutivi por i mbajti në parlament. Fakti që janë bërë përpjekje për të pasqyruar vullnetin e qytetarëve edhe në kohët më të vështira, është një vendim i përgjegjshëm nga ana e qeverisë dhe për mendimin tonë është shumë e rëndësishme që edhe në rrethana të jashtëzakonshme institucionet të vazhdojnë të kryejnë rolin e tyre. Kosova në këtë drejtim ka qenë një shembull shumë i mirë, duke lënë parlamentin të kryejë detyrat e veta gjatë periudhës së pandemisë”, ka thënë Kelmendi.