Lamtumirë Ismail Berisha – ikonë e dijes dhe përkushtimit kombëtar!
Lamtumirë Ismail Berisha – mendje e ndritur, burrë i Kosovës, shpirt fisnik, karakter i pathyeshëm, ikonë e dijes dhe perkushtimit kombëtar!

Nga Agron Kuçi
Pikëllues dhe i dhembshëm lajmi për ndarje nga jeta e Ismail Berishës – veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, profesorit, publicistit, gazetarit, politikanit, vizionari dhe humanisti të rrallë.
U lind në fshatin Drenoc të Komunës së Deçanit, rrjedh nga Familja e Kuçi nga Juniku. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, Gjimnazin në Pejë, Fakultetin e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Beograd, ndërkaq Studimet Postdiplomike në Shkencat Ekonomike i kreu në Fakultetin e Zagrebit me gradën Doktor i Shkencës.
Punoj si profesor, gazetar dhe merrej me veprimtari publicistike dhe shkencore. Ishte udhëheqës i shumë institucioneve të Kosovës në mes tyre, meritori dhe autori i ndërtimit të kompleksit të Pallatit të Rilindjes dhe Drejtor i Rilindjes, Ministër i Ekonomisë, Kryetar i Komunës së Deçanit, Drejtor i EXIMKOS-it, i cili la gjurmë konkrete në historinë institucionale , arsimore, kulturore ekonomike dhe politike të vendit, për më tepër ai ndertoj jo vetëm infrastrukturën e dijes por edhe themelet e një brezi të tërë që u ushqye me mendimin e tij të kthjellët.
Për veprimtarinë e tij atdhetare i regjimi serb e shpalli të papërshtatshëm e pushoj nga të gjitha funksionet, por ai nuk u thye . Ai nuk kishte nevojë në pushtet që të ndikonte- Ndikimi i tij ishte në veprimtarinë atdhetare, në fjalën e menqur, shembulli në qetësinë që mbante brenda forcën e një ideali të pathyeshëm.
Baca Ismail ishte shumë më tepër se sa njeri me funksione e tituj- ishte një shtyllë e mendimit dhe veprimit shqiptar, një zë i fuqishëm në mbrojtje të dijes, të drejtës dhe të kombit. I shërbeu vendit me perkushtim e dashuni, pa bërë zhurmë, pa kërkuar kurrë, as emër as lavdi.
Në vitet e 70-ta, 80-ta, në popullatë, rini, rrethet intelektuale, shkencore dhe kulturore, shquhet, vlerësohet dhe nderohej si ikonë e menqurisë, urtësisë e fisnikërisë!
Ishte model për gjeneratën e tij dhe frymëzim për brezat që e ndoqën.
Ismail Berisha ishte i përulur ndaj dijes dhe i drejtë ndaj së vertetës, një erudit dijesh, një penë e stërholluar frymezuese e ndriçuese dhe orator që fliste pak, por thellë dhe fjala e tij dëgjohej, peshohej dhe respektohej nga të gjithë.
Në moshën e pleqërisë i kthyer drejt mendimit pozitiv dhe dorëshkrimeve që presin ende botimin, ai vazhdoj të mbetet pranë dijes e të vertetës.
Njerëz si ai nuk përcillen me bujë sepse ata i përkasin heshtjes së madhe që vjen pas veprës së kryer me dinjitet.
U prehsh në paqe Ismail Berisha!
Lavdi jetës veprës dhe mendimit tënd!
Ngushëllime bashkëshortes Shpresa, djemëve Betimit dhe Milotit si dhe miqëve e bashkëveprimtarëve !
P.S (Është e pafalshme dhe e pashpjegueshme, nga institucionet shtetërore të vendit, moskujdesi për organizimin e një ceromonie mortore në nderim të jetës dhe veprës së një personaliteti kaq të rrallë e shumë dimensional dhe me kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe çështjen kombëtare si Ismail Berisha në Kosovë)!.



