KDI: Kosova ta ndërtojë konsensusin politik për dialogun para takimit në Uashington

14 gusht 2020 | 17:03

Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se është i domosdoshëm që në Kosovë të ndërtohet koncenusus politik para se të shkohet në Uashington për dialog me Serbinë më 2 shtator.

“Në kuadër të procesit të normalizimit, Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar takime të vazhdueshme të cilat kanë për synim arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme. Pavarësisht gatishmërisë dhe mbështetjes nga spektri politik për procesin përmbyllës të dialogut, mungesa e konsensusit politik lidhur me përfaqësimin e Kosovës në bisedime, po vazhdon ta karakterizojë pozicionin e saj negociues”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

KDI ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të intensifikojë përpjekjet për arritjen e konsensusit sa më të gjerë në mes të spektrit politik, lidhur me të gjitha çështjet e ndërlidhura me dialogun për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Ne vlerësojmë që kjo çështje duhet të trajtohet përtej kalkulimeve politike ditore, andaj, si partitë në pushtet edhe ato në opozitë duhet të tregojnë përkushtim dhe konstruktivitet për të tejkaluar pengesat në arritjen e pajtueshmërisë politike rreth procesit, para takimit të paralajmëruar në Uashington. Çdo vonesë në këtë drejtim rrezikon të dëmtojë pozitën e Kosovës në bisedime, si dhe marrëdhëniet e saj me partnerët ndërkombëtar”, është thënë në komunikatë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje korresponduese ku ka miratuar…