KEDS-i gjobitet me 25 mijë euro për njehsorë me afat të skaduar verifikimi
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka shqiptuar gjobë prej 25 mijë eurosh ndaj KEDS-it, pasi janë evidentuar edhe pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.
Pas ankesave të konsumatorëve për mospërputhje të orës në njehsorët elektrikë, më 31 mars të këtij viti MINTI kishte themeluar një komision, ndërsa më 1 prill kishte nisur procesi i verifikimit të pajisjeve.
Gjoba e parë ndaj KEDS-it ishte shqiptuar më 14 prill në vlerë prej 6 mijë eurosh, ndërsa deri më tani janë shqiptuar gjithsej gjashtë gjoba me vlerë totale 311 mijë euro, pa përfshirë gjobën e fundit prej 25 mijë eurosh.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) kishte paralajmëruar se konsumatorët të cilët rezultojnë të dëmtuar nga devijimet e orës në njehsorë do të kompensohen plotësisht.
Sipas ZRrE-së, konsumatorët duhet fillimisht të paraqesin ankesë në MINTI, më pas te KEDS-i dhe, në rast se nuk janë të kënaqur me përgjigjen, mund t’i drejtohen edhe ZRRE-së.
Ndërkohë, në fillim të qershorit, KESCO nuk kishte bërë të ditur se kur pritet të nisë procesi i kompensimit për konsumatorët e prekur.



