Kehoe: Aktet e lokalizuara të dhunës u kryen edhe nga njerëz që prezantoheshin si UÇK

04 prill 2023 | 11:02

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, duke folur për periudhën pas çlirimit të Kosovës dhe nisjes së administrimit të Kosovës nga UNMIK-u, ka thënë se krime mund të kenë ndodhur në nivel lokale me motive hakmarrjeje.

“Aktet e lokalizuara të dhunës individuale të nxitura nga zemërimi, urrejtja, mungesa e llogaridhënies ishin të pashmangshme”, ka thënë Kehoe duke thënë se njerëzit që ishin kthyer nga dëbimi i gjetën pronat e tyre të djegura dhe të dëmtuara.

“(Aktet e dhunës) shpesh shkaktoheshin nga kriminelët, elementët keqbërës të UÇK-së, njerëz që prezantoheshin si UÇK, mbanin uniforma të blera në rrugët e Prishtinës e gjetkë”, ka thënë avokati Kehoe.

Më tutje, ai ka prezantuar edhe një pjesë të intervistës dhënë në korrik të vitit 1999 të ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark lidhur me krimet hakmarrëse ndaj serbëve lokalë.

“Ka qindra e mijëra njerëz që po kthehen mbrapsht. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, por ka edhe serbë që mendojnë se do të jenë fajtorë për shkak të etnicitetit të tyre. Ka përpjekje legjitime që pronat t’i kthehen pronarëve. Është periudhë që po merret hak, po lahen hesape”, është cituar të ketë thënë Clark. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka cituar Ish-gjeneralin amerikan,…