
KEK-u dhe Komuna e Obiliqit bashkëpunojnë për përmirësimin e ambientit
Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imeri, ka thënë se ky memorandum, tregon edhe njëherë për angazhimin që e ka Korporata në përmirësimin e ambientit për qytetarët e kësaj komune.
“Sot e nënshkruam edhe një obligim ligjor, i cili rrjedh nga Ligji për Komunën e Obiliqit, i cili e atakon drejtpërdrejt qytetarin e vendit, i cili memorandum nis projektet, të cilat ne i kemi planifikuar për çështjen e ambientit. Me këtë projekt reflektojmë edhe njëherë që Korporata Energjetike e Kosovës është shumë miqësore dhe do të jetë shumë afër, dhe e ka në fokus dhe në prioritet numër një, investimet të cilat do të ndodhin ambient”, ka thënë, ushtruesi i detyrës i Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imeri.
Përderisa kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi deklaroi se me ardhjen e menaxhmentit të ri në KEK, është përmirësuar dukshëm bashkëpunimi.
“Që nga ndryshimi i menaxhmentit të KEK-ut, bashkëpunimi ka filluar i mirë me komunën. Sot nënshkruam një memorandum për zgjerimin apo shtyrjen e rrethojës për diku rreth 8 metra, më c’rast do të filloj edhe implementimi i ligjit të Obiliqit për krijimin e brezit të sigurisë në këtë rast bankinat dhe brezin e gjelbër. Gjithashtu komuna merr përsipër që pjesën e mbetur të rregullohet trotuari dhe pjesa e pistës së biçikletave me një brez të gjelbër”, ka thënë kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi.
Ky memorandum është nismë që KEK-u e ka për përmirësimin e ambientit brenda 5 viteve të ardhshme.