KEK-u ndalë njësinë ‘A4’ në ‘Kosova A’ pas rrjedhjeve në kaldajë, energjia sigurohet nga Shqipëria
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë me dije se njësia “A4” e Termocentralit “Kosova A” është ndalur në mënyrë të kontrolluar si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldajë, konkretisht në zonën e tejnxehësit.
Sipas KEK-ut, ndalimi i njësisë është vlerësuar si i domosdoshëm nga stafi profesional, në përputhje me standardet teknike dhe të sigurisë, me qëllim të parandalimit të dëmtimeve më të mëdha dhe të paparashikueshme në pajisje.
“Kjo ndërhyrje është realizuar për të ruajtur integritetin teknik të njësisë dhe sigurinë e operimit”, është thënë në njoftim.
KEK-u ka bërë me dije se falë bashkëpunimit me Korporatën Energjetike Shqiptare (KESh) është siguruar një pjesë e konsiderueshme e kapacitetit të munguar përmes shkëmbimit të energjisë elektrike, deri në rikthimin e njësisë në operim.
Ndërsa lidhur me raportimet se aktualisht në funksion është vetëm një njësi nga gjithsej pesë, KEK-u ka sqaruar se tri njësi të tjera – “B1”, “B2” dhe “A5” ndodhen në remont të rregullt dhe në proces të rehabilitimit dhe modernizimit, në përputhje me Bilancin Vjetor Energjetik.
Sipas korporatës, këto ndërhyrje janë të planifikuara dhe synojnë rritjen e besueshmërisë dhe performancës afatgjate të kapaciteteve prodhuese.
KEK-u ka njoftuar se ekipet profesionale janë në gatishmëri të plotë dhe, pas ftohjes së njësisë, do të bëhet identifikimi i saktë i burimit të rrjedhjeve, për të nisur menjëherë procesin e sanimit dhe rikthimin e njësisë “A4” në operim në afatin më të shkurtër të mundshëm.



