KEK-u shmang konkurrencën, jep tender 645 mijë euro me negocim

28 janar 2026 | 16:43

Derisa Kosova po përballet me reduktime të ashpra të energjisë, Korporata Energjetike e Kosovës ka dhënë një tender në vlerë prej 644 mijë e 900 eurosh për furnizim me shirit transportues gomë-pëlhurë, duke aplikuar procedurën e negociuar, e cila në vetvete përjashton konkurrencën e hapur dhe përdoret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, të përcaktuara qartë me ligj, raporton Infosot.

Ligji i Prokurimit Publik e ndalon dhënien e kontratës me negocim, vetëm në raste të jashtëzakonshme, apo kur asnjë operator nuk e ofron atë produkt. KEK më 20 janar ka nënshkruar zyrtarisht kontratën me operatorin ekonomik Bahri Asllani, duke negociuar kontratën më vlerë prej 644 mijë euro.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 738 mijë e 250 euro, ndërsa çmimi përfundimtar është ulur në 644 mijë 900 euro. Megjithatë, vetë përdorimi i procedurës së negociuar, në një kontratë të kësaj vlere dhe për furnizim standard industrial, hap dyshime serioze për anashkalim të konkurrencës, favorizim të operatorëve të caktuar dhe cenim të parimeve themelore të prokurimit publik.

Edhe pse KEK ka raportuar se në këtë aktivitet kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë dhe të tre janë shpallur të përgjegjshëm, dhënia e kontratës përmes negocimit kufizon tregun dhe nuk ofron garanci reale për konkurrencë të lirë.

Ligji i Prokurimit Publik e lejon procedurën e negociuar vetëm në raste të veçanta, si emergjenca ekstreme ose mungesa e alternativave në treg, kushte që nuk rezultojnë qartë të arsyetuara në dokumentacionin publik të KEK-ut.

Kjo kontratë vjen në një kohë kur KEK është vazhdimisht në qendër të kritikave për menaxhim të dobët, mungesë investimesh strategjike dhe vendime që rëndojnë mbi interesin publik.

KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVES – (Dokument)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka…