
Kelmendi: Sistemi prokurorial është vazhdimisht në thumb të deklaratave ndërhyrëse
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se sistemi prokurorial dhe prokurorët janë vazhdimisht në “thumb” të deklaratave ndërhyrëse në drejtësi.
Ai ka thënë se vazhdimisht ushtrohet një lloj presioni në punën e tyre të përditshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ndjehem shumë mirë që raporti e ka theksuar këtë çështje. Sistemi prokurorial i Kosovës është vazhdimisht në thumb të këtyre deklaratave dhe vazhdimisht ushtrohet një lloj presioni në punën tonë të përditshme. Mirëpo, ju garantoj juve që sistemi prokurorial duhet dhe është dhe ka me qenë gjithmonë i paanshëm në trajtimin e secilit rast. Por, s’na vjen mirë as neve që dimë këtë gjendje dhe as kur shohim raporte me gjetje të tilla”, ka thënë ai.
Kelmendi është shprehur se qytetari i Kosovës e meriton një sistem të drejtësisë që është i pavarur dhe i paanshëm.
“Qytetari i Kosovës e meriton një sistem të drejtësisë të pavarur, të paanshëm. Një trajtim brenda afateve, me korrektësi dhe vendime të qarta gjyqësore që japin arsyetim për çdo pretendim të palëve”, ka thënë Kelmendi.