KËNGA SI TRASHIGIM NGA BABAI

11 maj 2020 | 18:06

(Shpend Dervish Shaqa- djali i Dervish Shaqës)

SHKRUAN: ISMET RASHITI

Shpend Dervish Shaqa – Muçaj është djali i rapsodit të njohur në botën shqiptare, Dervish Shaqa. U lind në vitin 1949 në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në një familje rapsodësh. Gjyshi i tij, Shaqir Lluka ishte një burrë i urtë dhe i respektuar nga të gjithë. Oda tradicionale e familjes Shaqa – Muçaj, priti dhe përcjelli pleqnarë e patriotë shqiptarë nga shumë vende të Kosovës. Aty bëhej muzikë me sharki e qifteli nga Dervish Shaqa, i cili qyshë në moshën 9-vjeçare kishte filluar të këndonte në odën e burrave dhe ishte bërë mjeshtër i qiftelisë dhe fyellit. Oda e familjes Muçaj ishte e njohur në këto anë për bujari, mikëpritje dhe patriotizëm. Aty flitej e këndohej hapur për heroizmin e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj dhe ruhej e trashigohej me mjeshtëri kënga shqiptare. Dervish Shaqa, babai i Shpendit, qyshë në moshë rinore, ishte bërë shumë i kërkuar në odat e Dukagjinit. Pavarësisht se përcillej këmba-këmbës nga spiunët e UDB-së, Dervishi nuk ishte ndalur për asnjë moment së kënduari këngë patriotike shqiptare. Këngën nuk arritën t’ia ndalin as burgosjet dhe maltretimet e shumta në burgje. Maltretimin më të madh e kishte përjetuar më 05 prill 1956. Dy ditë pas këti maltretimi, në dimrin dhe acarin e madh të ati viti, bashk me shokun e tij të jetës dhe këngës, Demush Neziri, detyrohen të kalojnë në Shqipëri. Këtë moment prekës, Shpend Dervish Shaqa, ndonëse kishte pasur vetëm 6-7 vjet, e mbanë mend si sot : « Më kujtohet ajo natë, kur erdh babai nga dasma dhe më zgjoi nga gjumi, duke më thënë se të kam sjellur mish nga dasma. Ma dha mishin duke i dredhur mustaqet e mëdha ». Nëna u kthy nga dritarja dhe i tha : « Dervish po don me mi qorru te dy sytë dhe mem lanë me këta sabi të vegjël. Pra udha e mbarë dhe ishalla shpëton ». « Pastaj baba u vesh trash, u përgaditë, ndërsa unë haja mishin të dasmës që ma kishte sjellur. Nuk disha çka po bahet, por kur ra shkallëve teposhtë i shkuan lotët si gurra. Baca Sylë më kishte marë ngryk dhe ma bënte duke më ledhatuar, ah carrok-carrok. Ah Dervish, Dervish dhe dolën në krye të oborrit. Aty e kthej edhe njëherë kryet dhe na shikoi të gjithëve », e kujton me shumë dhimbje momentin e ndarjes me babain, Shpend Dervish Shaqa. Ky ishte momenti dhe motivi i vargjeve të këngës së mirënjohur :
« Kur ta kthymë oj Kosovë shpinën,
E lam borë, e gjetëm dimen… »
Shpendi dhe vëllau i tij më i vogël, Aliu mbetën nën përkujdesjen e xhaxhait, Sylë Muça, i cili sipas fjalës së dhënë dhe traditës shqiptare ishte përkujdesur për rritjen e tyre.
Shpend Shaqa – Muçaj, qysh në rini dallohej për talentin e tij prej rapsodi. Ai kishte trashiguar në masë të madhe talentin dhe zërin e babait. Sa herë e merrte malli për babain, sa herë e dëgjonte në Radio Kukës, merrte sharkinë dhe këndonte këngët e tij. Një zë identik, me po ato vokale, e me të njejtin intonacion. Zë karakteristik, i ëmbël e tërheqës.


Në vitin 1978, Shpend Dervish Shaqa emigron në Zvicër. Përveq punëve të rënda në ndërtimtari, asnjëherë nuk u ndalë së kënduari. Banesa e Shpendit dhe sidomos « kantina » ku ushqeheshin punëtorët, si të thuash, ishte bërë shtëpi kulture. Aty grumbulloheshin punëtorët shqiptarë, ndërsa Shpendi këndonte këngët e babait me shumë mallë e dashuri. Nuk ishin të pakta rastet, kur shpendit i skuqeshin sytë nga lotët e mallit për babain, për vëllaun Aliun për bashkshorten dhe pesë fëmijët e mrekullueshëm.
Viti i demonstratave 1981 për Republikën e Kosovës, Shpendin e gjenë të përgaditur. Menjëherë, bashkohet në tubime e demonstrata si pjesmarrës dhe si rapsod në tubimet e shumta, anë e kënd Zvicrës. Shpendi, sa ishte i afërt me bashkatdhetarë, po aq ishte bërë i dashur me këngët e tij patriotike. Shpendi hapur këndonte për Republikën e Kosovës. Zëri i tij karakteristik ndizte sallat përplotë bashkatdhetarë, jepte forcë dhe dashuri për Kosovën dhe trojet tjera shqiptare. Një zë pothuaj identik me të babait, Dertvish Shaqa. Me një fjalë, Shpend Shaqa ishte bërë udhëheqësi kryesor i grupit të rapsodëve shqiptar në Zvicër që i këndonin lirisë, Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe ngjarjeve të mëdha historike.

Në shtator të vitit 1986, me iniciativën e Shpend Dervish Shaqës, themelohet SHKA « Luftetarët e lirisë », në gjirin e sëcilës ishin përfshirë gra e burra, të rinjë e të reja patriotë shqiptarë të cilët organizonin koncerte para bashkatdhetarëve në shumë qytetete brenda dhe jasht Zvicrës. Shpend Dervish Shaqa, kudo i pari. Këngët e tij ishin të veqanta. Plotë besim dhe opitimizëm për fitore.
Kjo ishte arsyeja që emri i rapsodit Shpend Muçaj të nënvizohet me ngjyrë të kuqe dhe të kërkohej nga UDB-ja ish jugosllave. Një kohë shpendi nuk kishte shkuar në Kosovë për pushime, por dashuria për Llukën e Epërme, malli për bashkëshorten, fëmijët, për vëllaun e dashur, Aliun dhe të tjerët nuk e linte të qetë. Pavarësisht burgut të sigurt që e priste, kthehet në fshatin e tij të dashur. Ende pa u çmallur mirë, UDB-ja e heton dhe e arreston menjëherë. Pas torturave të shumta, Shpend Shaqa-Muçaj dënohet me tri vite burg. Shokët e burgut thonë se edhe në çelitë e burgut, Shpendi nuk e ka ndalur këngën.
Pas daljes nga burgu, Shpend Shaqa-Muçaj sërish kthehet në Zvicër. Sërish në krye të aktiviteteve patriotike. Kënga e tij frymëzim edhe gjatë luftës çlirimtare. Aty ku ishte Shpendi, tubimet sikur merrnin flakë. Jehona e zërit të tij, sikur kalonte male, fusha e detra, deri në Kosovën e largët të tij, ku jepte forcë e shkëlqente si rreze dielli në rrugën e lirisë !
Shpend Dervish Shaqa- Muçaj, tani 71 vjeçar jeton në Cyrih të Zvicrës me familjen e tij të dashur dhe të përkushtuar për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Këngën ende nuk e ndalë. Sharkinë dhe veshjen kombëtare, trashigim dhe amanet nga babai Dervish Shaqa, gjithëmonë i ka pranë dhe saherë e ftojnë në përvjetorë e tubime të ndryshme me karakter kombëtar, shkon me dëshirën më të madhe, si çdo herë gjatë gjithër jetë së tij !

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se…