Këngë nusërie

08 qershor 2026 | 09:17

Clemens Brentano

 

Eja pra, eja pra, o e bukur, e bukur nuse, moj.

Koha jote, koha jote më e mirë sot mbaroi.

Valëvitet vellua jote lagur e larë me lot,

O si qan kaq fort kjo nuse e bukur sot!

Që sot vajzat do t’i lesh,

Shoqëri me gra do kesh.

 

Vetëm për pak, vetëm për pak kohë do t’i mbash

Stoli e trëndafila e rroba krejt mëndafsh,

Valëvitet vellua jote lagur e larë me lot,

O si qan kaq fort kjo nuse e bukur sot!

Lidh gërshetin, pra, tani

Nën kurorën rrethflori.

 

As mos qesh, as mos qesh, këpuckat e arta që vesh

Shpejt do të të shtrëngojnë qëllojnë të ngushta shpesh

Valëvitet vellua jote lagur e larë me lot,

O si qan kaq fort kjo nuse e bukur sot!

Për vallëzim vajzat kur dalin,

Ti në djep do tundësh djalin.

 

Përshëndet, përshëndet me ato duar të lehta tani

Gjersa të vësh unazën që lidh besnikëri.

Valëvitet vellua jote lagur e larë me lot,

O si qan kaq fort kjo nuse e bukur sot.

Gur i unazës në gishtin tënd

Do të rëndojë nesër si shkëmb

 

Kërceje fort, kërceje fort vallen tënde të fundit dhe qaj,

Se vyshken trëndafilat dhe gjembat mbeten pastaj.

Valëvitet vellua jote lagur e larë me lot,

O si qan kaq fort kjo nuse e bukur sot.

Të mbledhësh lule s’do të vraposh,

Do shkosh në arë që të lërosh.

 

Shqipëroi: Petraq Kolevica

Marrë nga nr. 26 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
CHARLES BAUDELAIRE Njëqind herë dielli kishte dalë, i qeshur apo…