SA SHPEJT!
CHARLES BAUDELAIRE
Njëqind herë dielli kishte dalë, i qeshur apo i trishtuar, nga vaska e pafund e detit, kufijtë e së cilës shquhen me vështirësi; njëqind herë ai ishte zhytur, i ngazëllyer apo i vrerët, në atë vaskë të pamasë muzgullore. Prej disa ditësh, ne soditnim anën tjetër të kupës qiellore dhe deshifronim alfabetin qiellor të antipodeve[1].
Të gjithë pasagjerët ankoheshin dhe psherëtinin. Dukej sikur toka që po afrohej i acaronte më keq vuajtjet e tyre. “Deri kur – thoshin ata, do të biem në gjumë të tundur nga valët e detit e të rrahur nga era që gërhet më fort se ne? Deri kur do të hamë mish të kripur, si ky element i pashpirt mbi të cilin lundrojmë? Kur do të mund të tresim ushqimin në një kolltuk të palëvizshëm?”
Kishte midis tyre nga ata që mendonin për familjet, që i merrte malli për gratë e tyre të pabesa dhe të zymta dhe për pjellat e tyre qaramane. Të gjithë ishin aq të shkalluar nga imazhi i tokës që u mungonte, saqë do të ishin gati të hanin bar me një entuziazëm më të madh se kafshët.
Më në fund, dikush lajmëroi se po i afroheshim bregut dhe pak më vonë pamë një tokë të mrekullueshme, verbuese. Dukej sikur tingujt e jetës shkëputeshin nga ajo si një mërmëritje e paqartë, dhe sikur nga këto brigje plot me gjelbërim të shumëllojshëm, çlirohej deri larg, një aromë e këndshme lulesh dhe frutash.
Të gjithë u gëzuan dhe vendosën të mos varnin më turinjtë. Të gjitha zënkat u harruan, gabimet reciproke u falën, dyluftimet e fiksuara më parë u fshinë nga kujtesa dhe inatet fluturuan si tymrat.
Vetëm unë isha i trishtuar, i trishtuar në mënyrë të papërshkrueshme, të papërfytyrueshme. Si një prift, të cilit i kishin rrëmbyer hyjninë e tij, unë nuk mund të ndahesha pa një hidhërim të thellë me këtë det kaq joshës, me këtë det pafundësisht të larmishëm në thjeshtësinë e tij të tmerrshme që me lojërat, qëndrimet, zemërimet e të qeshurat e tij, dukej sikur përmbante në vetvete dhe përfaqësonte karakteret, agonitë dhe ekstazat e të gjithë njerëzve që kanë jetuar, jetojnë apo do të jetojnë!
Duke i lënë lamtumirën kësaj bukurie të pakrahasueshme, më dukej sikur isha në prag të vdekjes; prandaj kur secili prej bashkudhëtarëve të mi tha: “Më në fund!” unë nuk mund të thosha gjë tjetër veçse: “Sa shpejt!”
Por nga ana tjetër, ishte toka, një tokë plot zhurmë, pasione, komoditete e festa. Një tokë e pasur, e mrekullueshme, plot premtime, që lëshonte drejt nesh një parfum të pashpjegueshëm trëndafili dhe myshku dhe që na dërgonte tingujt e jetës nëpërmjet një gurgullime të dashuruar.
[1] Nga greqishtja antipodos. Vend që ndodhet në një pozicion gjeografik diametralisht të kundërt me një vend të dhënë. Në këtë rast udhëtarët po soditin yjet që duken në hemisferën jugore të cilat janë të ndryshme nga ato të hemisferës veriore.
Përktheu nga frëngishtja: Roland Çipa.
Marrë nga nr. 26 i revistës “Akademia”.



