Romani më i mirë në Panairin e Librit Shqip në Shkup i jepet Namik Dokles me “Asnjë trokitje në qiell”

07 qershor 2026 | 14:39

“Asnjë trokitje në qiell” i politikanit ,shkrimtarit dhe publicistit Namik Dokle është vlerësuar me çmimin për romanin më të mirë (prozën më të mirë) në Panairin e parë të Librit Shqip, i cili u zhvillua nga 4 deri më 7 qershor 2026 në sheshin Sheshi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Shkup.

Panairi, i organizuar për herë të parë, mblodhi autorë, botues dhe studiues të letërsisë shqipe nga të gjitha trevat, ndërsa juria e përbërë nga personalitete të njohura të fushës së letërsisë ndau çmimet kryesore në disa kategori, përfshirë prozën, poezinë, studimet, përkthimin dhe letërsinë për fëmijë.

Juria u kryesua nga akademiku Ali Aliu, me anëtarë Arta Marku dhe Behar Gjoka, të cilët vlerësuan nivelin e lartë të veprave të paraqitura në këtë edicion të parë të panairit.

Një tjetër vlerësim i rëndësishëm i aktivitetit ishte Çmimi i Karrierës, i cili iu akordua botuesit të njohur nga Kosova Abdullah Zeneli, për kontributin e tij të gjatë në promovimin e librit shqip dhe autorëve shqiptarë.

Pas marrjes së çmimit, Namik  Dokle u shpreh me mirënjohje për organizatorët e panairit, Komunën e Çairit dhe Institutin e Librit dhe Promocionit në Tiranë, si dhe për jurinë, duke kujtuar me nostalgji edhe vlerësimin e tij të parë letrar të marrë dekada më parë, nga një juri e drejtuar nga shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Panairi i Librit Shqip në Shkup u konsiderua një ngjarje e rëndësishme kulturore që synon të kthehet në një traditë të përvitshme në hapësirën shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona ka identifikuar Marc Cucurellan si objektivin kryesor për përforcimin…