Kastriot Tusha dhe Bajramali Idrizi prezantojnë projektin muzikor patriotik “Tetovë – Tiranë”
Dy profesorët universitarë, këngëtarët dhe artistët e njohur shqiptarë, Kastriot Tusha dhe Bajramali Idrizi, kanë sjellë projektin e ri muzikor “Tetovë – Tiranë”, një vepër artistike që simbolizon lidhjen shpirtërore dhe kulturore ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Me interpretimin e tyre brilant dhe stilin karakteristik të secilit, artistët kanë krijuar një ndërthurje të veçantë mes muzikës klasike dhe asaj moderne, duke i dhënë këngës një dimension të veçantë artistik.
Videoklipi është realizuar në Tiranë dhe Tetovë. Në Tiranë janë përfshirë pamje nga pjesët më të bukura të kryeqytetit shqiptar, ndërsa në Tetovë është vënë në pah trashëgimia kulturore dhe arsimore, me theks të veçantë te Universiteti i Tetovës. Në videoklip shfaqen rektorët, historia e këtij institucioni dhe studentët, të cilët janë bërë pjesë e këtij projekti artistik.
Të dy artistët janë profesorë në Fakultetin e Arteve Muzikore në Universitetin e Tetovës. Bajramali Idrizi ushtron detyrën e shefit të programit, ndërsa Kastriot Tusha është profesor i solokëndimit, me një kontribut të çmuar dhe afatgjatë në edukimin e brezave të rinj të artistëve.
Kënga përshkohet nga motive patriotike, duke e paraqitur Tetovën dhe Tiranën si simbole të një gjaku, një gjuhe dhe një zemre të përbashkët. Përmes këtij projekti, Kastriot Tusha dhe Bajramali Idrizi përcjellin mesazhe të fuqishme të dashurisë për atdheun, krenarisë kombëtare dhe unitetit të shqiptarëve kudo që ndodhen.
“Tetovë – Tiranë” vjen si një himn artistik i bashkimit shpirtëror dhe kulturor të kombit shqiptar.




