Poezi nga Herman Çuka
BABAI IM I NDRITUR
kur ti ike, unë gati fëmijë të qetha flokët për herë të fundit, e të këndova një këngë siç këndohen nga anët tona dhëndurrët,
ndërsa unë jam rritur dhe ca vite
më shumë se ti atë ditë të fundit
tashmë duhet të jem,
ajo gruaja që qan; sikur njeriun e fisit,
sikur burrin e nënës vejushë,
sikur të t’kisha vëllanë më të voglin,
atë të palindurin,
apo je ende atje tek ajo ditë?
kur shiu mbi ty binte si pikëllim
i heshtur, e unë s’pata guximin
të kundërshtoja lopatat e varrmihësve
të dehur,
që hedhnin mbi ty botën e sipërme
e shtynin
me bërryla praninë time fëmijë,
me mungesën tënde që më mbante për dore
kur ndihem jetime e rritur,
sikur ikën çdo ditë pres për pyetjet
e gabimeve të mia, dhe këto të sotmet
e gërmoj në kujtime, qortimet
t’u jap dhe nga të tuat, zgjidhjet
për dashurinë që shkruaj dhe vargje
ti a e pate të plotë,
e a pate dashur ndonjëherë,
ndonjë grua tjetër përveç nënës?
…
babai im i ndritur, më ka mbetur zëri te kënga e fundit me dhëndurrët
kur të qetha flokët!
NGA DITAR I NJË BURRI
ti je kaq e brishtë
kaq e butë,
dhe kaq e bukur, magjistarja ime
e vogël, shtriga ime e lumtur!
më duket sikur të thërrmoj
dhe kur të vështroj,
me sytë e mi që të duan
mbështetur,
mbi kanape të kuqe,
fle me ëndrrën tënde blunate… kushedi ku ke mbetur?
ti në një çast buzëqesh,
në gjumë e lumtur…
jashtë një hënë e kristaltë, ziliqare,
na vështron epur në dritare,
aq sa gjysmë e fytyrës
iu thërrmua në pluhur…
fli bukur,
e dashura ime, në ëndrrën tënde,
të eksituar!
mbase,
jam unë,
mbase,
s’ekzistoj fare,
mbase,
ndodhesh në një,
tjetër planet?
rëndësi ka të jesh e lumtur,
shtriga ime e bukur!
bota lëneshë,
jashtë
pëshpërit,
njësoj si era,
na përflet dashurinë e “çuditshme”.
“po ç’di bota nga dashuria
po të dinte ç’ishte,
nuk do kishte kohë për t’na përgjuar, do të ishte duke u puthur, do të ishte cipëplasur,
si shegë e arritur!”
(QUARANTENA)
këtej xhamit
unë qëndroj si gëzhojë
e vjetër
e zbrazur për t’u mbushur
tejmatanë
jashtë
rrjedh lëngu
i një hardhie të krasitur
për stinën e re të rrushit
në tavolinë
pret gota e ujit të mbushet
një limon i verdhë të shtrydhet
në kantinë buti
të çmendet mushti
shishet presin
tërë ankth prej heshtjes së hapave
për verën e re të kuqe
të puthë më parë buzët…
e dua dhe unë për flokët e mia
të lodhura
të lahen si dikur
kur im Atë krasiste në oborr hardhinë
e ne çupkat lidhnim shishkat
në plagët e trungut t’i mblidhnin,
lotët e çmuar që i binin stinës
që nga krasitjet e viteve
të moçme të pranverës
më pas përshesh buka e ngrohtë
në rrushin e vjeshtës
falënderuar perëndinë
e të vjelave të bollshme
unë tashmë ndihem brenda gëzhojës
së brejtur
jashtë një zog po shuan etjen
në lëngun e hardhisë
të sapokrasitur,
harroj distancën
motin e keq
mbaj frymën
për t’mos e trembur,
nga brenda jo vetëm xhamit..!
ALIBI
jashtë një krismë arme
thyen monotoninë
e një lagjeje
në një tablo minimaliste,
një burrë
këputet trung në rrugë,
bota mbajti pezull veten në frymë
qeni mburravec për herë të parë pushoi së lehuri,
minjve
të kanaleve
sonte ata(minjtë) s’patën frikë
rendën drejt gjahut nder t’i bënin ekspertizën
perdet në panik u mbyllën
abazhurët fashuan dritën,
të fshihnin
vështrimin,
dëshmi të dritareve,
vetëm sytë e neoneve mbetën hapur të ngrirë,
memecë të ftohtë
si ata mbi viktimë,
uria drithëruese e natës (kjo aleate e pabesisë) gëlltiti vrasësin enigmë, minjtë padashur fshinë putrat e pista mbi gjurmë
gëzhoja
gojëhapura
djaj të vegjël të mortit lëvduan veten
kishin kryer mirë detyrën,
sot vdiq një njeri i drejtë, që donte të këpuste rrethin e krimit
nga sytë e heshtjes makabre ranë klithmat e gruas, e shembën
nga pemët foletë me gjithë zogjtë,
që prisnin të iknin me vjeshtën
tutje tej një sirenë e largët, servitù*e ligjit,
ah të gjorit
ligjit,
sa mund i duhet të krijojë skenën e krimit,
(një çarçaf sipër të ndjerit) në vend të ndalimit”,
sa i madh dhe sa i vogël shteti brenda pushtetit!
të jesh hero në ditët e sotme?
(të duhen shtatë shpirtra për të këputur një rreth vicioz,
me perimetrin e tokës)
EMPATI
po të tregoj
që ti të mos ndihesh i vetëm
po të tregoj një histori njeri
i ardhur prej zjarrit
unë gruaja e vogël nga shtati,
dikur as fëmijë as e rritur
për jetën e kafshuar në rrëzë
të veshit
kam pirë ujë në golloferkë* të kalit
aty ku gjarpri të digjte në çast se ishe
e vetmja pre e tij mbijetë në tokën e gurit
ku duhej të hapej fusha e mbinte gruri
(histori më vete dhe kjo në marshin
e mrekullive…)
kjo nuk është legjendë
vetëm e luftëtarëve të vjetër,
kjo është dhe historia ime
e panjohur dhe prej tokës sime, ku mbarsej dreqi dhe njeriu brenda rrethit me gjemba…
por unë ndihem e plotë në planetin tim lënë relievin e buzëve,
në atë oazë të mbijetës që linte pas e shkelura
e kalit
e pabesuar do të mbetet e historia
e kokëngjeshurve,
të palidhur kapistrës së rrufeve
që s’binin prej Qiellit
po ti i ardhur prej Sahare, çuditesh, çuditesh!
se s’ke dëgjuar për të tilla
bukuri të verdha, për gra evrope
si mua….
me çmendina kolektive,
ku të gjithë (s)ishim engjëj të lumtur
brohoritur në paradën triumfale të luftës imagjinare…
nuk ka fantazi
të hedhë në pëlhurë të tilla dashuri atdhetare abstrakte?
e ti qesh hidhur dhe me veten,
se s’ke imagjinatë për ta besuar,
prej historisë tënde si lëkurë e djegur
të dukem një e çmendur
që i pëlqen të luajë një dramë
për të të qenë shoqe e dhimbjes
në librin tënd të grisur,
si një e tepërt e kohës moderne
ne kemi një dënim të përbashkët
ti një dashuri për Casablancan
unë një Mont real të Mopassanit
eja të ushqehemi të uritur
në tingullin e bukur të buzëve kënduar bijve të shpresës që do të lindin në tokën e bukur të Leopardit,
e t’iu flasim edhe për histori të tjera
në lumturi të verdha të pafolura për të mos harruar,
kur të vrapojnë në brigje të bardha
me të njëjtin Diell
Marrë nga nr. 26 i revistës “Akademia”



