
Keqpërdori detyrën, zyrtari i KRU ‘Hidromorava’ dërgohet në mbajtje
Një zyrtar i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan është arrestuar të martën nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi i kishte dhënë paraprakisht pyetjet e testit me shkrim një kandidati për punësim.
Sipas policisë, bëhet fjalë për të dyshuarin V.M. (1984), anëtar i Komisionit për vlerësimin e kandidatëve në dy konkurse pune. Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, është zbuluar se ai kishte favorizuar një kandidat duke ia dorëzuar pyetjet një ditë para mbajtjes së testit.
Anëtarët e tjerë të komisionit janë intervistuar sot në zyrat e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Gjilan dhe janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa për V.M. prokurori i rastit ka lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh.
Në këtë rast, Policia ka siguruar prova që konsiderohen të besueshme për përfshirje në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.