Kërcënohet Sorosi, gjendet letër-bombë në shtëpinë e tij

23 tetor 2018 | 11:16

Policia e Nju Jorkut ka treguar se ka shkatërruar në mënyrë të kontrolluar një letër-bombë, të gjetur në shtëpinë e biznesmenit miliarder George Soros.

 Pakoja u zbulua në një kuti postare nga një punonjës i Sorosit, që njoftoi autoritetet para se ta çonte atë në një zonë të pyllëzuar aty pranë.

Incidenti po hetohet tani nga Byroja Federale e Hetimit-ja. Soros është vendosur shpesh nën kritika nga grupet e së djathtës ekstreme, për shkak të mbështetjes së tij të kauzave liberale. Ai nuk ndodhej në shtëpinë e tij, në qytetin Bedford të Westchester County, në kohën e incidentit.

“Një punonjës në rezidencë hapi pakon dhe pa atë që dukej si një mjet shpërthyes”, ka deklaruar policia në një deklaratë për shtyp. Skuadra e posaçme e xhenierëve e kishte shkatërruar atë më pas.

88-vjeçari, biznesmen hungarezo-amerikan, e fitoi pasurinë e tij përmes operacioneve financiare, që jo rrallë janë parë me dyshim. Ai ka shpenzuar miliarda parà të tijat në financimin e projekteve për të drejtat e njeriut dhe proceset demokratike liberale në botë, e ka qenë edhe një donator i madh i Partisë Demokratike në SHBA.

Ai ka mbështetur fushatat presidenciale të Barack Obamës dhe Hillary Clintonit dhe është etiketuar nga presidenti aktual, Donald Trump, si “një mashtrues”.

Ndërkohë, shumëkush e ka akuzuar Sorosin për projektimin e fshehtë të një serie ngjarjesh në SHBA dhe politikën globale. Soros është shndërruar në një shënjestër politike edhe në botë, nga ana e nacionalistëve dhe populistëve, që e konsiderojnë atë “mjeshtër të manipulimit të demokracive”./tch/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka kthyer mbrapsht aktakuzën për…