Kërkohet lobim në kryeqendrat e BE-së për liberalizim të vizave

21 maj 2018 | 08:22

Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin një fushatë lobuese nëpër kryeqendrat e Bashkimit Evropian (BE) për procesin e liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesit qeveritarë dhe njohësit integrimeve evropiane kanë bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se qendrave të BE-së në mënyrë të qartë dhe të matshme duhet t’u komunikohet progresi i arritur në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se në vend se të merremi me caktimin e datave se kur mund të lëvizet pa viza, duhet të ketë kontakte të vazhdueshme me vendet anëtare të BE-së për këtë proces.

“Në të njëjtën kohë ne duhet të shohim se si duhet të bashkëpunojmë me disa shtete anëtare të BE-së, veçanërisht me Gjermaninë, ku kam qëndruar para dy jave, me Francën, me Austrinë, por edhe me Holandën, Belgjikën, si dhe disa shtete anëtare, meqë vendimmarrja e Komisionit Evropian është një vendimmarrje ku vendos komisionari për Migrim dhe Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, të cilin e kam takuar gjatë kësaj vizite dhe komisionarin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn”, ka thënë ai, duke shtuar se në këtë drejtim duhet të bëhet punë lobuese. “Besoj se nuk ka arsye për pesimizëm por, përkundrazi, ka arsye për optimizëm. Ne duhet të shohim që ta mbajmë gjallë këtë agjendë dhe në vend se të japim data në Prishtinë, të bëjmë punë konkret lobuese në Bruksel dhe në qendrat e tjera evropiane”, ka deklaruar Hoxhaj.

Edhe njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, ka bërë me dije për “Epokën e re” se një fushatë e tillë është shumë e nevojshme ngaqë, sipas tij, duhet pasur parasysh se ka mungesë të entuziazmit brenda shteteve anëtare për liberalizimin e vizave me vendet e treta.  Ai ka vlerësuar se ky është një proces teknik me vendimmarrje politike që rol kyç do të kenë shtetet kryesore anëtare të BE-së. “Mjedisi politik në kuadër të vendeve anëtare në vitin 2018 nuk është mjedis politik i vitit 2012 kur është lansuar procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën. Vitet e fundit vendet anëtare janë ballafaquar me presion të fuqishëm publik për heshtjet siç janë migrimi, azilkërkuesit, terrorizmi etj. Po ashtu, ka pasur ide për suspendim të regjimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor që tashmë kanë fituar liberalizimin e vizave. Prandaj, duhet nënvizuar se Kosova ballafaqohet me një mjedis negativ publik dhe politik për liberalizimin e vizave. Vendet anëtare të rëndësishme, siç janë Franca, Suedia, Holanda, kanë shfaqur rezerva të mëdha për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën”, ka thënë Kryeziu.

Për këto arsye, sipas Kryeziut, institucionet e Kosovës duhet të komunikojnë me vendet anëtare të BE-së dhe t’ua tregojnë progresin që është arritur. “Konsideroj se duhet të lobohet në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së dhe t’u komunikohet në mënyrë të qartë dhe të matshme progresi i arritur në Kosovë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në veçanti, vendeve anëtare duhet t’u komunikohen masat që Kosova ka marrë në fushën e azilkërkuesve, migrimit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë temat e interesit vital për vendet anëtare”, është shprehur Kryeziu.

Më tej, ai ka treguar procedurën se si do të shkojë deri te vendimmarrja e BE-së për liberalizim të vizave. “Në skenarin pozitiv ku konfirmohet përmbushja e të gjitha kritereve, BE-ja fillon procesin vendimmarrës ku duhet një votim në Parlamentin Evropian me shumicë të thjeshtë në lexim të parë dhe shumicë absolute në lexim të dytë, kurse edhe votim në Këshill të BE-së, në përbërje të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, me shumicë të dyfishtë, pra 55 % të vendeve anëtare (16) që përfaqësojnë së paku 65 % të popullsisë së BE-së”, ka treguar Kryeziu, duke përmendur rastin e Gjeorgjisë dhe të Ukrainës se sa kohë u është dashur qytetarëve të këtyre shteteve të lëvizin në Zonën Shengen.

“Nëse marrim si shembuj referues rastin e Gjeorgjisë dhe të Ukrainës, nga momenti që këto dy vende kanë marrë mandatin nga komisioni LIBE (të drejta civile, drejtësi, punë të brendshme), aty ku gjendemi ne e deri tek lëvizja e lirë ka zgjatur gjashtë muaj për Gjeorgjinë dhe nëntë muaj për Ukrainën, por po flasim gjithmonë nën presupozimin se kemi përmbushur edhe kriterin e fundit, për të cilin duhet pritur raportin final nga misioni faktmbledhës i Komisionit Evropian që ishte në Kosovë në fillim të muajit majit”, ka thënë Kryeziu.

Hezitimi i disa shteteve anëtare të BE-së në raport për liberalizimin e vizave është përmendur edhe nga opozita. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka ftuar institucionet e Kosovës të punojnë me këto vende. “Rekomandimi do të qartësohet, por data do të vijë nga Këshilli i Ministrave dhe në këtë rrafsh duhet të punojmë shumë me presidentin Donald Tusk dhe me shtetet që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, kemi edhe numër të shteteve që kanë hezitime serioze në këtë çështje”, ka deklaruar Haziri.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kërkesa e opozitës për zgjedhje të reja nga deputetët e…