Tahiri i PDK-së: Ta shpërndajmë Kuvendin, ta çojmë vendin në zgjedhje

02 maj 2024 | 12:05

Ka nisur në Kuvendin e Kosovës diskutimi për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), ku Qeveria e Kosovës kritikohej ashpër.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri është shprehur se në këtë raport është thënë se ka regres në vendin tonë.

“DASh-i javën e kaluar publikoi raportin për Kosovën, në atë raport thuhet se ka regres. Specifikohet dhuna ndaj gruas në një ambient jashtëzakonisht jomiqësor, dhuna në baza gjinore, dhuna ndaj gazetarëve, dhuna ndaj komuniteteve të margjinalizuara, dhe ajo më shqetësuesja, niveli i korrupsionit”, ka thënë Tahiri.

Më tutje, Tahiri ka përmendur edhe hetimet ndaj 1/3 të ministrave në qeverinë Kurti, të cilët dyshohen për afera korruptive.

“Hera e parë konsiderohet si nivel i lartë dhe korrupsion serioz në institucionet qendrore, kjo është shqetësuese sepse tashmë e specifikon faktin që 1/3 e ministrave janë në hetime për afera korruptive”, ka thënë Tahiri.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se PDK-ja kërkon që në Kuvend të diskutohet sa më parë për ditën e zgjedhjeve.

“E gjithë kjo situatë, që është krijuar nga kjo qeverisje, e dëshmon atë që kemi kërkuar në vazhdimësi si grup parlamentar i PDK-së, ky Kuvend duhet të diskutojë sa më parë për ditën e zgjedhjeve”.

“Ju bëj thirrje që sa më parë ta kemi konsensusin ta shpërndajmë këtë Kuvend, ta çojmë vendin në zgjedhje”, ka thënë Tahiri.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka…