Albert Krasniqi kërkon shkarkim të menjëhershëm: Dorëheqja as që mund të pritet
Analisti Albert Krasniqi ka reaguar pas deklaratave të bëra lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar shkarkim të menjëhershëm të përgjegjësve institucionalë.
Përmes një reagimi në Facebook, Krasniqi ka vlerësuar se dorëheqja është akt moral që kërkon ndërgjegjësim për përgjegjësinë dhe pranimin e dështimit.
Ai ka kritikuar deklaratat se, nëse rasti do të ishte raportuar në Qeveri, viktima ndoshta do të ishte ndihmuar.
“Me deklarata të tipit ‘NDOSHTA të kishte raportuar në Qeveri, NDOSHTA do ta kishim ndihmuar’, dëshmon se as nuk e kupton detyrën që mban, e as nuk e ndien përgjegjësinë që buron prej saj”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, në këto rrethana nuk mund të pritet dorëheqje, por duhet të ketë shkarkim të menjëhershëm.
“Në të kundërtën, përgjegjësia për dështimin institucional që i parapriu vrasjes së Arlindës bie edhe mbi ata që, edhe pas kësaj tragjedie, zgjedhin të mos veprojnë”, ka përfunduar Krasniqi.



