Rasti i Arlindës, KGJK publikon të gjeturat nga inspektimi në Gjykatën e Pejës
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka përfunduar inspektimin në Gjykatën Themelore në Pejë lidhur me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj.
Sipas komunikatës së KGJK-së, kryesuesi Rrustem Thaqi, më 26 tetor 2026, kishte adresuar kërkesë urgjente te Drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor, për shqyrtimin e dokumentacionit dhe veprimeve të ndërmarra nga gjykata lidhur me rastin C.nr. 1300/2026.
Inspektimi në Gjykatën Themelore në Pejë është realizuar më 26 tetor, ndërsa raporti përfundimtar i është dorëzuar Këshillit më 28 tetor 2026.
Nga shqyrtimi i shkresave, KGJK-ja ka konstatuar se Gjykata Themelore në Pejë më 7 shtator 2026 kishte pranuar kërkesën për shqiptimin e urdhrit mbrojtës emergjent dhe po atë ditë kishte caktuar urdhrin për mbrojtjen e Arlinda Zekaj-Sylajt.
Kundër aktvendimit, e mbrojtura dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kishin paraqitur kundërshtim lidhur me pikën që kishte të bënte me besimin e fëmijës dhe alimentacionin. Më 16 tetor 2026, gjykata kishte vendosur për këtë kundërshtim.
KGJK-ja bën të ditur se të dy aktvendimet i ishin përcjellë Policisë së Kosovës për ekzekutim dhe se, sipas shkresave të lëndës, Arlinda Zekaj-Sylaj kishte pasur urdhër mbrojtjeje gjatë gjithë kohës.
Në komunikatë thuhet gjithashtu se Gjykata Themelore në Pejë e kishte pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë kundër Jeton Sylajt, më 26 tetor 2026, në orën 08:56, pra pas vrasjes së Arlindës. Aktakuza ishte regjistruar menjëherë në regjistrin fizik dhe atë elektronik të gjykatës.
Sipas KGJK-së, në dokumentacionin e rastit për urdhrin mbrojtës palë kishin qenë Arlinda Zekaj-Sylaj dhe Jeton Sylejman Sylaj, ndërsa i dyshuari për vrasjen, Albert Sylaj, nuk ishte përfshirë në asnjë nga shkresat e lëndës.
KGJK-ja ka sqaruar edhe se më 17 shtator 2026, Arlinda Zekaj-Sylaj i ishte drejtuar kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se gjyqtari i çështjes kishte vendosur në kundërshtim me ligjin dhe pas afateve ligjore. Po atë ditë, kryetari i gjykatës kishte kërkuar informata nga gjyqtari i çështjes dhe kishte marrë përgjigje. Më 20 tetor, kryetari i gjykatës i ishte përgjigjur me shkrim edhe Arlindës, duke i sqaruar veprimet e ndërmarra.
Ndërkaq, lidhur me raportimet se kryesuesi i KGJK-së kishte pranuar kërkesë nga Arlinda Zekaj-Sylaj, Këshilli ka deklaruar se këto informacione nuk janë të vërteta.
Sipas komunikatës, pas verifikimit të regjistrave fizikë, dokumentacionit në Sekretariat dhe postës zyrtare elektronike, është konstatuar se deri më 28 tetor 2026 nuk ishte pranuar asnjë kërkesë nga e ndjera.
Në fund, KGJK-ja ka theksuar se është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe se nuk përjashton masa ndaj personave për të cilët konstatohet se veprimet ose mosveprimet e tyre janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Komunikata e plotë:
KOMUNIKATË
Prishtinë, 28 tetor 2026 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), z. Rrustem Thaqi, në lidhje me rastin e Arlinda Zekaj-Sylaj, më datë 26.10.2026 ka adresuar kërkesë urgjente me shkrim për Drejtorin e Njësisë për Inspektim Gjyqësor në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që i ka Njësia, të ndërmerr urgjentisht të gjitha veprimet e nevojshme që lidhur me rastin C.nr. 1300/2026, të shqyrtoj dokumentacionin dhe veprimet e ndërmarra deri më tani nga ana e gjykatës dhe lidhur me të gjeturat, në fund të përgatit një raport për të gjitha veprimet e ndërmarra.
Inspektimi është realizuar në Gjykatën Themelore Pejë me datë 26/10/2026, puna ekipore është finalizuar me datën: 28.10.2026, duke ndërtuar një dosje fizike me të gjitha materialet e inspektuara dhe shkresat tjera. Raporti final është dorëzuar në Këshill me datë: 28.10.2026.
Pas shqyrtimit të te gjitha shkresave të lëndës dhe lidhur me çështjen, rezulton se:
Gjykata më datë 07.09.2026 e ka pranuar Kërkesën për Shqiptimin e Urdhrit Mbrojtës Emergjent, dhe po këtë ditë e ka regjistruar në regjistrin manual dhe atë elektronit të SMIL, konform rregullave të përcaktuara me akte normative, përkatësisht Rregulloren nr.17/2024 dhe Shtojcën 2.
Me aktvendimin e datës 07.09.2026, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar Urdhrin për Mbrojtje Emergjente për palën e mbrojtur znj. Arlinda Zekaj-Sylaj.
Kundër këtij aktvendimi pala e mbrojtur dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kanë paraqitur kundërshtim, vetëm lidhur me piken III, të dispozitivit që ka pasur të bëjë me besimin e fëmijës dhe alimentacionin.
Gjykata, duke vendosur sipas kundërshtimit të palës së mbrojtur dhe përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimave me aktvendimin C.nr.1300/2026 të datës 16.10.2026, ka vendosur që të aprovohet kërkesa e palës mbrojtëse me saktësisht si në dispozitiv të këtij aktvendim.
Kundër këtij aktvendim nuk është paraqitur ankesë nga palët në këtë rast.
Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se, pala mbrojtëse Arlinda Zekaj-Sylaj, gjatë gjithë kohës ka pasur të caktuar Urdhrin për mbrojtje. Të dy këto aktvendime i janë përcjellë Policisë së Kosovës për ekzekutimin e tyre ashtu siç ka qenë e përcaktuar në dispozitiv të aktvendimeve të cituara.
Duhet theksuar se: me datë 26.10.2026 në ora 8.56, Gjykata ka pranuar Aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë, me numër PP/II Nr. 1340/2026, kundër Jeton Sylaj (bashkëshorti i Arlinda Zekaj-Sylaj). Aktakuza në gjykatë është pranuar pas vrasjes së të ndjerës Arlinda Zekaj-Sylaj. Aktakuza është regjistruar menjëherë në regjistrin fizik dhe atë elektronik me numër P.nr. 832/2026 dhe sipas numrit unik të SMIL 2026:208789.
Nga shkresat e lëndës rezulton se në këtë çështje palë të vetme kanë qenë, pala e mbrojtur Arlinda Zekaj-Sylaj dhe pala përgjegjëse Jeton Sylejman Sylaj (në raport familjar – bashkëshort), dhe në asnjë shkresë të lëndës nuk është përfshirë tani i dyshuari për kryerjen e veprës penale të vrasjes, Albert Sylaj.
Me datën 17 shtator 2026, znj. Arlinda Sylaj Zekaj i është drejtuar më kërkesë Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, ku ka shprehur pretendimet se gjyqtari i çështjes ka vendosur kundërligjshëm dhe pas afateve ligjore. Kryetari i Gjykatës në Pejë, po të njëjtën ditë, me datën 17 shtator 2026 i është drejtuar gjyqtarit të çështjes me kërkesë që ta informohet lidhur më çështjen si dhe me veprimet e ndërmarra. Po të njëjtën ditë, gjyqtari i çështjes është përgjigjur në kërkesën e Kryetarit.
Ndërsa, me datën 20 tetor 2026 Kryetari i Gjykatës me shkresën GJA.nr.197/26 i është përgjigjur znj. Arlinda Syla Zekaj duke i sqaruar të gjitha veprimet e ndërmarra nga Gjykata në lidhje me rastin.
Sa i përket lajmeve të publikuara në disa media, kinse Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka pranuar kërkesë nga znj. Arlinda Sylaj Zekaj, informojë mediat dhe qytetarët se këto informacione nuk janë të vërteta.
Kryesuesi i Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka marr përgjigje me shkrim nga personat përgjegjës në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor se deri më datë 28 tetor 2026, nuk është pranuar asnjë kërkesë nga tani e ndjera Arlinda Zekaj-Sylaj. Kjo është konstatuar duke kontrolluar evidencën nga regjistri fizik i pranimit të të gjitha shkresave të pranuara në zyrën e pranimit të Këshillit, në Sekretariat dhe në postë zyrtare elektronike të KGJK-së.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës i siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se është i vendosur që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore me qëllim të zbatimit të drejtë të Kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme, pa përjashtuar të gjitha masat eventuale ndaj të gjitha atyre që konstatohet se veprimet ose mos veprimet e tyre janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
https://www.gjyqesori-rks.org/2026/10/28/komunikate-11/



