Kërkohet zgjatja e orarit të punës për bizneset

18 dhjetor 2020 | 17:05

Përfaqësuesit e komiteteve të kujdesit shëndetësor dhe atij për gastronomi dhe turizëm brenda Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) janë takuar të premten me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, si dhe zëvendësministrin e Shëndetësisë, Luan Gola, me të cilët kanë diskutuar për çështjet që ndërlidhen me masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbrojtje nga pandemia Covid-19 si dhe për mundësitë për bashkërendimin për zbatim të tyre në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka theksuar se kjo odë ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që orari i kufizimit të lëvizjes të zgjatet, gjithnjë duke i respektuar masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) për mbrojtjen e shëndetit publik.

Ndërsa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, është shprehur se duke  marrë parasysh fragjilitetin e ekonomisë së vendit, ministria që ai drejton është kundër mbylljes totale. Ai ka theksuar se tash e disa herë brenda komitetit për vlerësim të situatës me Covid-19 ka avokuar për marrjen e masave strikte, por jo edhe për mbylljen e ekonomisë në tërësi. Gjithashtu, Krasniqi ka thënë se marrë parasysh fluksin e madh të mërgimtarëve, të cilët kanë rol kyç në buxhetin e vendit përmes remitencave, do t’i trajtojnë kërkesat e bizneseve për zgjatje të orarit, gjë që bëhet e mundur përmes vendosjes së rendit përmes inspektoratit dhe policisë, si dhe përmes zbatimit të masave strikte për mbrojtjen e shëndetit publik nga ana e bizneseve.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Shëndetësisë, Luan Gola, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, çdo masë e ka propozuar duke i marrë parasysh kapacitetet e limituara spitalore për t’u përballur me numër më të madh të të infektuarve. Më tutje, ai ka thënë se kuadri mjekësor është lodhur për shkak të punës shumë të madhe që është bërë gjatë këtyre 9 muajve, ndërsa shprehu shqetësimin e tij mbi situatën shumë serioze.

Më tutje, Erëmal Bajrami, kryesues i Komitetit të Odës Amerikane për gastronomi dhe turizëm, ka theksuar se një ndër kërkesat kryesore të këtij komiteti ka qenë të lejohet shërbimi i shpërndarjes edhe gjatë orëve kur lëvizja është e kufizuar, meqë një shërbim i tillë nuk paraqet rrezik për shëndetin publik dhe i njëjti po implementohet edhe në shtetet e tjera. Ai ka thënë se diçka e tillë duhet të implementohet sa më parë sepse çdo vonesë rezulton në humbje për ekonominë.

Kurse Vullnet Kusari, përfaqësues i Komitetit të Odës Amerikane për kujdes shëndetësor, ka thënë se në rast të aplikimit të kufizimeve më të gjera të aktivitetit fizik, duhet të konsiderohet rritja e udhëtimeve jashtë vendit, e cila do të ndikojë në shtimin e rasteve të të infektuarve, por edhe në humbjen e potencialit ekonomik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent…