Këshilli i Etikës i UP-së: Rektori Hajrullahu ka marrë titullin e profesorit në mënyrë të rregullt

02 maj 2025 | 10:00

Rektorati i Universitetit të Prishtinës njoftoi se me vendimin e 18 prillit 2025, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka hedhur poshtë pretendimet për shkelje në procesin e avancimit të rektorit Arben Hajrullahu në titullin profesor i rregullt në vitin 2022, duke i vlerësuar që të gjitha ato si të pabaza.

Profesori Enver Hasani e kishte denoncuar në Këshillin e Etikës rektorin Arben Hajrullahu, me pretendimin se gjatë procesit të avancimit në profesor të rregullt në vitin 2022, Hajrullahu kinse kishte bërë shkelje etike, duke u ndodhur në konflikt interesi.

“Këshilli i Etikës, në arsyetimin e vendimit, hedh poshtë pretendimin e denoncuesit Hasani se kinse rektori aktual Hajrullahu në vitin 2022, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Fakultetit Filozofik, ka votuar për avancimin e vet në gradën profesor i rregullt dhe se ai ka shkaktuar konflikt interesi edhe në mbledhjen e Senatit, kur është vendosur avancimi i tij në profesor të rregullt”, thuhet në njoftimin e Rektoratit.

Këshilli i Etikës po ashtu ka ardhur në përfundim se nuk kishte asnjë ankesë nga kundërkandidatët gjatë procesit të avancimit të Hajrullahut dhe nuk ka as palë të dëmtuara.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka reaguar pasi Kosova u…