Këshilltari i Jimmy Carter që u shpëtua nga shqiptarët gjatë Holokaustit
Një profesor dhe konsulent menaxhimi me origjinë serbe, Ichak Kalderon Adizes, tregon se si ai, gjyshja dhe prindërit e tij u fshehën në një fshat të largët shqiptar.
Në librin e tij të kujtimeve, “The Harmonist Player” (Harmonisti), Adizes thekson për heroizmin e dy vëllezërve shqiptarë, Ali dhe Rajib Brahimi.
Profesori është zotuar t’i nderojë shqiptarët me titullin “Të drejtët midis kombeve”, për shpëtimin e tij dhe familjes së tij gjatë Holokaustit.
Titulli përdoret nga Izrael-i për të nderuar johebrenjtë, që rrezikuan jetën e tyre gjatë Holokaustit, në mbrojtje të familjeve hebreje.
Familja e Adizes u “kamuflua” si myslimane, pasi një kadi lokal, ose prift mysliman, i solli në fshat.
Më herët, ata kishin qëndruar për pak kohë në kampin Monopol, në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Ichak Kalderon Adizes dhe babai i tij
Për shumë vite me radhë, Adizes besonte se as vëllezërit, askush në fshat, nuk e dinin që ata ishin hebrenj.
Prindërit e tij u thanë banorëve të zonës se ata ishin “myslimanë boshnjakë”, që kishin tradita të ndryshme lutjeje prej tyre.
Gjatë festimeve të Ramazanit, babai i Adizes-it – 7-vjeçar asokohe – e detyroi atë të ngjitej lart në shtëpinë ku ata jetonin, në mënyrë që familja të mund të hante.
Nëse dëgjonte ndonjë lëvizje nga vëllezërit Brahimi, duhej të hidhej lart e poshtë për të paralajmëruar prindërit.
Rikthimi
Në vitin 1996, një kompani televizive izraelite riktheu Adizes-in dhe babanë e tij përsëri në Shqipëri.
Së bashku ndoqën hapat e tyre të fshehjes dhe arratisjes. Ata u ribashkuan me vëllezërit Brahimi dhe të afërmit e tyre.
Gjatë xhirimeve të dokumentarit, “Unë dua të kujtoj, ai dëshiron të harrojë”, u bë e qartë se askush në fshat nuk i kishte besuar historitë e tyre.
Shtëpia e Adize-s në Shqipëri
Babai i Adizes-it, Salamon Adizes, kishte punuar si mjeku i fshatit gjatë qëndrimit të tyre në fshat.
Familja Adizes ishte e tmerruar nga tradhtia ndaj fashistëve italianë që endeshin në zonat malore të Shqipërisë.
Por, gjatë xhirimeve të programit televiziv, vëllezërit Brahimi deklaruan se e kishin ditur gjatë gjithë kohës që familja Adizes ishte hebre.
Ata gjithashtu e dinin që Salamoni nuk ishte mjek.
Pas luftës, familja u zhvendos në Izrael. Ichak u largua nga Izraeli për në Amerikë dhe filloi një karrierë të shkëlqyer në biznes dhe konsulencë.
Me kalimin e viteve, Adizes ka këshilluar kryeministra dhe presidentë, duke përfshirë Shimon Peres dhe Jimmy Carter.
Shoah
Më 27 janar të vitit 1945, bota do të dëshmonte “me sytë e saj” një pasqyrë të re të realitetit tronditës të luftës.
Ushtarët sovjetikë sapo hynë në kampin e përqendrimit në Aushvic, Poloni.
Një e gjashta e viktimave hebreje gjatë Luftës së II Botërore ishin shfarosur pikërisht aty.
Shoah që përkthehet fjalë për fjalë “katastrofë” në gjuhën hebre, kujton pikërisht Holokaustin e vrasjeve të këtij populli përgjatë katër viteve 1941-1945.
Në Aushvic, nazistët vranë 1.1 milionë hebrenj, nga gjashtë milionë jetë që humbën për shkak të antisemitizmit gjerman.
Numri i të mbijetuarve të Shoah-s është duke u pakësuar.
Por ky nuk mund të jetë fundi i këtij përkujtimi.
Përkundrazi, kur nuk ka dëshmitarë të gjallë të tmerreve të Holokaust-it, rritet rreziku që këto ngjarje të tmerrshme të humbin nga vetëdija e botës.
Askush nuk mund të harrojë atë që panë “sytë e botës” më 27 janar.
Dehumanizimi nuk ishte më largim nga njerëzorja, ishte vetë përjetimi i transformimeve më të mëdha të njerëzores.