Këshilltari i presidentit: Kurti nuk po i ndalë kërcënimet kundër Gjykatës Kushtetuese

05 maj 2020 | 23:19

Këshilltari politik i presidentit të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se pasi shkeli dy herë Kushtetutën, kryeministri në detyrë Albini Kurti nuk i ndal kërcënimet kundër Gjykatës Kushtetuese.

“Duke e parë një kryeministër solipsistë, Komisioni i Venecias, në përgjigjen dërguar Qeverisë, mbron Gjykatën Kushtetuese nga paranojat dhe kërcënimet e Kurtit. ‘Nëse Komisioni do të ndërhynte, kjo do të rrezikonte ta dëmtonte autoritetin e Gjykatës’, thuhet në këtë përgjigje. Kjo tashmë është një dëshmi me legalitet dhe legjitimitet ndërkombëtar me të cilën Kurti ka synuar dëmtimin e autoritetit të Gjykatës Kushtetuese”.

“Por, kjo nuk i ka mjaftuar. Sonte në RTSH kërcënoi Gjykatën Kushtetuese sikur një kamikaz që për inate personale është në gjendje të vetëflijohet dhe, bashkë me të, krejt Kosovën. Aty ku nuk respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, aty pushon shteti dhe fillon anarki!”, ka shkruar Behrami në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se pas kundërshtimit të ashpër të Komisionit të Venecias, tani janë sosur të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare, dhe sipas tij, Kurti e ka vetëm një rrugëdalje – daljen në rrugë.

“Aty ku mund të çlirohet nga kravata dhe të zhvishet nga përgjegjësia! Aty ku askush nuk ia konteston aftësitë qeverisëse! Aty ku Albini është AMIN e Kurti është KULT!”, ka shkruar Artan Behrami.

Komisioni i Venedikut ka kërkuar që kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për formim të qeverisë së re.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Elmedina Ismajli- Doha- Katar Shteti i Katarit nuk ka…