Këshilltari i Vjosa Osmanit: S’kemi dërguar komente për çështjen e deputetit Arifi

02 dhjetor 2020 | 10:59

Këshilltari i kryeparlamentares Vjosa Osmani, Artan Murati që njëherësh është edhe përfaqësues i Kuvendit të Kosovës, në këtë seancë dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votën e Etem Arifit për qeverinë Hoti, ka thënë se nga ky institucion nuk janë dërguar komente për këtë çështje në Kushtetuese.

Mirëpo sipas tij, Osmani menjëherë pasi është informuar për këtë çështje ka marr hapa të menjëhershme për ta adresuar çështjen e deputetit Arifi.

“Kuvendi i Kosovës nuk ka dërguar koment me shkrim në këtë rast por ne qysh kur e kemi marr vesh për çështjen e deputetit Arifi kemi marr hapa për ta adresuar këtë çështje. Më 29 prill kryetarja e Kuvendit është njoftuar përmes medieve për dënimin e deputetit Arifi. Kryetarit të Gjykatës së Apelit Hasan Shalës i ka dërguar letër ku i ka treguar që është njoftuar nga mediat për çështjen e deputetit Etem Arifi dhe i ka kërkuar aktgjykimet të të gjitha instancat për dënimin e z.Arifit. Brenda së njëjtës ditë ato janë siguruar”, ka thënë ai.

Për ta trajtuar temën e deputetit sipas Muratit, Osmani u ka shkruar edhe anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete.

“Komisioni për Legjislacion ka ofruar edhe opinione të ndryshme për çështje të njëjtë. Më 12 maj ky komision kishte kërkuar që të ndiqet praktika e mëhershme të Kuvendit pavarësisht që Kuvendi nuk ishte përballur asnjëherë me një rast të tillë, ndërsa Zyra këshilluese ligjore e Kuvendit kishte konstatuar se vendimi në çështjen e deputetit Arifi kishte marr vendim të prerë pa u mandatuar ai si deputet në legjislaturën e shtatë”, ka thënë Murati.

Sipas përfaqësuesit të Zyrës së kryeparlamentares Osmani çështja e deputetit Arifi është diskutuar edhe në mbledhjen e Kryesisë.

“Më 18 maj në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kishte një pikë të veçantë për të diskutuar për këtë çështje. Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e Grupet Parlamentare kishin kërkuar kohë shtesë dhe kishin kërkuar që kjo të diskutohet në një mbledhje tjetër. Në fund të muajit qershor deputeti Arifi ishte në arrati e më pas u dorëzua në polici. Si rrjedhojë kryeparlamentarja nuk ka mundur që të bëj zëvendësimin e tij pa dal një vendim për të nga kjo Gjykatë”, ka deklaruar ai.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Gjykata do të tërhiqet për këshillim. Të njëjtat mbeten konfidenciale, derisa merret vendim për rastin dhe përgatitet projektvendimi i Gjykatës.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye LV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diskutimi lidhur me disa nga kërkesat e bizneseve që po…