Kështu e sheh Sabri Kiçmari marrëveshjen

07 mars 2019 | 22:32

Diplomati i karrierës Sabri Kiçmari, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Evropa, ka thënë se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të rezultojë me njohjen e ndërsjellë.

Por, Kiçmari është i mendimit se marrëveshja nuk duhet bërë ngutshëm dhe shkel e shko. “Më mirë është të negociohet më gjatë, se sa të arrihet një marrëveshje e shpejtë dhe e dobët, e cila nuk implementohet ose shkakton probleme, në vend që t’i zgjidhë ato. Marrëveshjet në asnjë mënyrë nuk duhet të lidhen me mandatet e bartësve të institucioneve në Kosovë, Serbi, BE ose vende të tjera, por baza e tyre duhet të jetë paqja dhe interesi i ndërsjellë”, ka thënë Kiçmari.

Ai ka folur edhe për taksës prej 100 për qind, të vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. “Taksa 100% është vendosur në një moment delikat, në vlugun e agresionit diplomatik të Serbisë kundër Republikës së Kosovës. Serbia ende nuk e ka ndalur vrullin agresiv kundër subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të akordojë qëndrimin në lidhje me këtë temë me të gjithë aktorët e skenës institucionale dhe politike dhe të marrë vendim konform interesit nacional. Elita jonë politike duhet të gjejë koncensus në lidhje me këtë temë. Në rast se gjendet koncensusi, miqtë tanë ndërkombëtar e kanë shumë të lehtë të marrin parasysh këtë gjë”, ka thënë Kiçmari.

Në këtë intervistë, Kiçmari ka folur edhe për themelimin e Institutit për Politikë të Jashtme të Kosovës, të cilin e drejton.

Gazeta Evropa: Z. Kiçmari më 5 mars është mbajtur Kuvendi Themeluesi Institutit për Politikë të Jashtme të Kosovës. Kush ishte iniciatori dhe cila ishte arysja e themelimit të këtij instituti?

Kiçmari: Ju faleminderit. Kjo ide është biseduar për disa jave me një numër profesorësh dhe studiuesish të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe u konkretizua më 5 Mars 2019. Paraprakisht patëm ardhur në përfundimin se politikës sonë të jashtme i mungon analiza shkencore. Ekspertët e politikës së jashtme janë vëzhgues të zhvillimeve, por nuk e kanë një Forum, në të cilin mund të shprehin pikëpamjet e tyre për politikën tonë të jashtme, për zhvillimet ndërkombëtare dhe për diplomacinë.

Gazeta Evropa: Çka përmbanë statui i këtij instituti? Cili do të jetë puna apo misioni primar i këtij intituti?

Kiçmari: Në Statut përpos aspekteve organizative janë të përfshira edhe qëllimet e Institutit. Instituti është themeluar me qëllim të: nxitjes dhe thellimit, në rrafshin shkencor, të interesimit dhe të kuptuarit të politikës së jashtme; të ndikimit në bashkëpunimin evropian dhe ndërkombëtar; ofrimin personaliteteve publike dhe shkencore një forum diskutimi dhe shkëmbimi mendimesh me anëtarët dhe mysafirët e Institutit në lidhje me politikën e jashtme; ndihmimit përmes hulumtimeve shkencore dhe publikimeve në vlerësimin e zhvillimeve të politikës së jashtme dhe atyre ndërkombëtare.

Gazeta Evropa: Marrë parasysh nivelin e diplomacisë së Kosovës, do të ofrojë ky institut ndihmë apo vetëm do të merrni me kritika?

Kiçmari: Si ekspertë të politikës së jashtme do të angazhohemi që të kuptojmë rolin e aktorëve tanë të politikës së jashtme, të njohim motivet, logjikën vepruese, sukseset dhe të metat e tyre dhe të vlerësojmë paanshëm në lidhje me veprimet e tyre. Në të njëjtën kohë të ofrojmë mendime, pikëpamje, plane dhe strategji se në cilin drejtim duhet lëvizur politika jonë e jashtme. Si forma të veprimit të Institutit, për realizimin e synimeve të tij do të jenë: a) Publikimi i rezultateve të hulumtimeve shkencore nga fusha e politikës së jashtme, politikës evropiane dhe zhvillimeve ndërkombëtare; b) Organizmi i debateve, konferencave dhe simpoziumeve në lidhje me politikën e jashtme, politikën evropiane dhe zhvillimet ndërkombëtare; c) Organizimi i grupeve studimore për tema të veçanta nga politika e jashtme, politika evropiane dhe zhvillimet ndërkombëtare; d) Publikimi i revistave, publikimeve dhe rezultateve të hulumtimeve shkencore në lidhje me temat që kanë të bëjnë me polititikën e jashtme, politikën evropiane dhe zhvillimet ndërkombëtare; e) Botimi i librave, revistave, dokumenteve në lidhje me tema që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, politikën evropiane dhe zhvillimet ndërkombëtare.

Gazeta Evropa: Po kalojmë në një temë tjetër. Pasi që ju jeni diplomat i karrierës, si e shihni në të ardhmen procesin e dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshje?

Kiçmari: Si vende fqinje, Kosova dhe Serbia, kanë interes që të komunikojnë dhe zgjidhin problemet që ekzistojnë mes tyre. Dialogu në marrëdhëniet në mes të vendeve fqinje është rrugë racionale dhe e logjikshme. Marrëveshja në mes të dy vendeve duhet të arrihet në interes të paqes dhe marrëdhënieve bilaterale. Ajo duhet të rezultojë me njohjen e ndërsjellë. Por, marrëveshja nuk duhet bërë ngutshëm dhe shkel e shko. Më mirë është të negociohet më gjatë, se sa të arrihet një marrëveshje e shpejtë dhe e dobët, e cila nuk implementohet ose shkakton probleme, në vend që t’i zgjidhë ato. Marrëveshjet në asnjë mënyrë nuk duhet të lidhen me mandatet e bartësve të institucioneve në Kosovë, Serbi, BE ose vende të tjera, por baza e tyre duhet të jetë paqja dhe interesi i ndërsjellë.

Gazeta Evropa: Sa është e përgatitur diplomacia e Kosovës për një process, ku do të arrrihet marrvëshja me Serbinë, e që do të rezultonte me njohen reciproke?

Kiçmari: Në radhët e diplomacisë së Kosovës ka kuadro shumë të mirë, profesionalisht të përgatitur dhe me përvojë, potenciali i të cilëve nuk shfrytëzohet mjaftueshëm. Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, poashtu, ka kuadro shumë të përgatitur, të pajisur me dije shkencore, të cilët do të mund të kontribuonin shumë në procesin e dialogut në cilësi të ekspertëve. Për fat të keq, elita jonë politike preferon më shumë kuadrot politikë se sa diplomatët e karrierës me përvojë negocimi e drejtpeshim gjykimi dhe profesorët e universitetit, me aftësi analitike dhe dije shkencore.

Gazeta Evropa: Kryetemë këto ditë është tarifa ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjes. Ka mendime për dhe kundër pezullimit të kësaj tarife. Po ashtu kemi thirrje edhe nga SHBA që të pezullohet kjo taksë. Si do duhej të vepronin në këtë rast institucionet e Kosovës?

Kiçmari: Taksa 100% është vendosur në një moment delikat, në vlugun e agresionit diplomatik të Serbisë kundër Republikës së Kosovës. Serbia ende nuk e ka ndalur vrullin agresiv kundër subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të akordojë qëndrimin në lidhje me këtë temë me të gjithë aktorët e skenës institucionale dhe politike dhe të marrë vendim konform interesit nacional. Elita jonë politike duhet të gjejë koncensus në lidhje me këtë temë. Në rast se gjendet koncensusi, miqtë tanë ndërkombëtar e kanë shumë të lehtë të marrin parasysh këtë gjë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj së bashku me Ahmet Isufin dhe një…