Këto janë akuzat për të cilat pritet të vendos Gjykata e Apelit në çështjen Gucati e Haradinaj

27 janar 2023 | 16:00

Paneli i Gjykatës së Apelit ka caktuar datën për shqiptimin e aktgjykimit të apelit në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 2 shkurt 2023, në orën 14:00, njoftojnë Dhomat e Specializuara.

Përmbledhje e akuzave

Në aktakuzë parashtrohet se midis së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, gjatë tri konferencave për shtyp dhe

transmetimeve të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim

Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacione të mbrojtura sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), përfshirë të dhënat identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm).

Gucati dhe Haradinaj bënë gjithashtu komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të

mundshëm) dhe shprehën në mënyrë të përsëritur synimin e tyre për të dëmtuar DHSK-në.

Akuzat janë si më poshtë: dy akuza për vepra penale kundër rendit publik. Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (Pika 1 dhe Pika 2).

Latër akuza për vepra penale lundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike. Frikësim gjatë procedurës penale (Pika 3). Hakmarrje (Pika 4). Shkelje e fshehtësisë së procedurës (Pika 5 dhe Pika 6).

Historiku i çështjes

Më 25 dhe 26 shtator 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan në Prishtinë, Kosovë, dhe u

transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake,

Nikola Giju, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve.

Më 16 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 7 tetor 2021. Më 10 nëntor 2021, ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj. Të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.

Aktgjykimi u shpall më 18 maj 2022. Trupi Gjykues i shpalli fajtorë të dy të akuzuarit për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të dy të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes. Trupi Gjykues e dënoi secilin të akuzuar me katër vjet e gjysmë burgim, duke u llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, si edhe me gjobë prej 100 Euro secili.

Si z. Gucati ashtu dhe z. Haradinaj dorëzuan njoftime për apel më 17 qershor 2022. Në përputhje me

procedurën, Kryetarja e DHSK-së caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit, të përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Më 5 korrik 2022 u mbajt konferenca para apelit, pas së cilës mbrojtja dorëzoi dosjet e apelit. Seancat e apelit u mbajtën më 1 dhe 2 dhjetor 2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini me…