Këto janë pesë drejtoritë që i kërkon PDK-ja
Takimi disa orësh i mbrëmjes të së martës mes figurave të rëndësishme të të dy partive ka përfunduar.
Në takim ishin Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Kujtim Shala e Përparim Rama.
Sipas burimeve palët janë pajtuar për marrëveshjen e ndarjes se pushtetit në qeverinë lokale të Prishtinës, përpos në dy drejtori ku LDK-ja këmbëngul që ajo t’i drejtoj.
PDK-ja në këto bisedime me LDK-në për të bashkëqeverisur në komunën e Prishtinës ka kërkuar nënkryetarin dhe pesë drejtori. Drejtoritë e kërkuara nga PDK-ja janë ato të Inspeksionit, Planifikimin Strategjik, Arsimin, Shërbimet Publike dhe Kulturën.
Mirëpo, LDK ka refuzuar kërkesën e PDK-se për dy drejtori.
“LDK ka refuzuar kërkesën e PDK-së për marrjen e drejtorisë së Kulturës dhe të Arsimit”, kanë thënë burimet.
PDK ka shpërfillur refuzimin e LDK-se dhe ka ngulur këmbë në negociata që edhe këto dy drejtori t’i barten PDK-së.
Sot pritet të votohet kryesuesi i Kuvendit Komunal por nëse dështojnë negociatat në mes LDK-PDK dhe nuk votohet kryesuesi i Kuvendit. atëherë komuna e Prishtinës shkon në zgjedhje për asamble komunale.
Përparim Rama në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kishte fituar 40 mijë e 658 vota përballë Arben Vitisë i cili kishte marrë vetëm 38 mijë e 958 vota.
LDK e PDK nuk kanë folur për media lidhur me negociatat e fshehta mes tyre.