Këto janë teknologjitë që po i bëjnë ushtarët si në filmat me superheronj

15 gusht 2019 | 11:44

Kostume me të cilat mund të fluturosh, dronë në miniaturë, mjete fluturuese për çdo ushtar individualisht, janë gjëra që janë parë shpesh nëpër filmat e fantashkencës, por që çdo ditë e më shumë po i afrohen realitetit.

Ushtritë dhe kompanitë private në vendet me ekonomi të fuqishme po zhvillojnë teknologji që mund t’i bëjnë ushtarët të fluturojnë nëpër fushëbeteja, me kostume antiplumb e të automatizuar.
Këto janë tetë teknologjitë më fantastiko-shkencore që janë në zhvillim e sipër pasi janë testuar me sukses, ose që janë vënë në përdorim që tani, dhe që nuk janë mbajtur sekret.

Shpikësi francez, Frenki Zapata fluturoi gjatë paradës në Ditën e Bastijës me mjetin më të vogël fluturues që është parë ndonjëherë. Presidenti Makron e postoi videon në Twitter pikërisht në ditën e paradës ushtarake, që do të thotë se ushtria franceze mund ta përdorë një ditë në ushtri.

SHBA-të po testojnë dylbitë (ENVG-B) të cilat do t’i mundësojnë ushtarët që qëllojnë me saktësi pa e vendosur armën te supi, e madje vetëm duke nxjerrë dorën nga një cep ndërtese. Syzat ofrojnë po ashtu shikim termik, duke rritur perceptimin e ushtarëve në terren.

“FLIR Black Hornet III” (Grerëza e Zezë) është një dron që mund të mbahet në xhep, e që mund të japë informacion në kohë reale në fushëbetejë që nga ajri, edhe nëse ushtarët nuk kanë shikim të drejtpërdrejtë ndaj armikut. Këto dronë janë vënë në përdorim që tani, dhe kanë shikueshmëri edhe për natën.

Agjencia TASS e Rusisë ka njoftuar se ka një sistem parashutash që do t’i lejojë ushtarët të kenë armë të cilat mund t’i përdorin gjatë kohës që janë ende në ajër.

“Ratnik 3” po ashtu vjen nga Rusia, dhe raportohet si një armaturë ekzoskeleton, që do t’i lejojë ushtarët të qëllojnë një armë automatike me njërën dorë, të ndihmuar nga motorë të vendosur te bashkimet e gjymtyrëve.

Riçard Brauning, ish anëtar i Marinës Mbretërore të Anglisë, sapo ka testuar kostumin e tij me motorë reaktivë përmbi Kanalin Anglez, duke përdorur pesë turbina për të lëvizur lehtësisht nga njëra anije te tjetra.

“MMHEL” është për “Laser Multi-Mision me Fuqi të Lartë”, që do të vendoset mbi mjetet e blinduara për të qëlluar automatikisht dronë dhe predha që mund të bien nga qielli. Ushtria amerikane është duke e vënë në përdorim në katër vitet e ardhshme.

“IVAS” është një version i modifikuar i HoloLens të Microsoft, një teknologji që pritet të përdoret gjerësisht në vitet 2020, dhe që do të shërbejë për të angazhuar një kompjuter në kohë reale mbi gjërat që ushtari sheh nëpër lenteve. Pajisja do të ketë njohje fytyre, matje të objekteve me saktësi, nxjerrje informacioni, etj./tch/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tyler Cameron dhe Gigi Hadid po dëshmojnë se romanca e…