Këto janë tetë amendamentet e Hotit për buxhetin e vitit 2024

06 dhjetor 2023 | 16:22

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka publikuar tetë amendamentet që ka propozuar për buxhetin e vitit 2024.

Ai ka shkruar në “Facebook” se këto amendamente janë refuzuar në Komisionin për Buxhet, të cilat sipas tij do të diskutohen edhe në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, ku do të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për buxhetin.

Postimi i plotë i Hotit:

Këto janë amendamentet që kam propozuar për buxhetin e vitit 2024, të cilat janë refuzuar në Komisionin për Buxhet. Këto do të diskutohen edhe në seancën e ardhshme kur projektligji i buxhetit shqyrtohet në lexim të dytë.

AMENDAMENTI 1: Vlera monetare e koeficientit në ligjin e pagave për sektorin publik është (125) Euro. Mjetet për të mbuluar koston buxhetore të rritjes së vlerës së koeficientit merren nga Programi i ringjalljes ekonomike, Tabela 3.1, me kod 29500.

Arsyetim: Vlera e propozuar prej 110 euro përbën rritje prej vetëm 4.8% të pagës. Kjo është më e ulët se vlera e inflacionit prej 5.1% për vitin 2023. Prandaj, për të kompensuar humbjen e vlerës së pagës nga inflacioni i vitit 2022 dhe 2023, propozohet vlera e koeficientit prej 125 euro. Ndikimi buxhetor i rritjes së koeficientit nuk është i papërballueshëm bazuar në projektbuxhetin e vitit 2024.

AMENDAMENTI 2: Ngritja e shtesave dhe kompensimeve për vitin fiskal 2024 duhet të jetë në përputhje me përqindjen e rritjes së vlerës se koeficientit sipas pikës 1 të këtij neni.

Arsyetim: Ngritja e shtesave dhe kompensimeve në përputhje me vlerën e koeficientit është bazohet në provizionet e ligjit të punës dhe ligjeve tjera relevante, të cilat parashohin kompensimin e punëtorëve përmes shtesave dhe kompensimeve të tjera për detyrat shtesë që mund të kenë, kushteve specifike të punës dhe të ngjashme.

AMENDAMENTI 3: Për projektin “Ndërtimi i Urës së fshatit Rogovë, Komuna e Gjakovës”, shuma e paraparë për vitin 2024 rritet në 2.000.000 euro, ndërkaq për vitin 2025 rritet 2.000.000 euro.

Arsyetim: Ndërtimi i kësaj ure është nevojë urgjente e qytetarëve të asaj zone. Kjo urë është rrezik potencial për banorët, madje edhe Komisioni i Ministrisë së Infrastrukturës ka konstatuar se kjo urë është në rrezik të shembjes. Ndarja që është bërë për vitin 2024 është shumë e vogël.

AMENDAMENTI 4: Shtohet një projekt i ri: “Rehabilitimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë për mbrojtje të tokave bujqësore nga fshati Kramovik deri në fshatin Piranë”. Për vitin 2025 ndahen 2.500.000 euro dhe për vitin 2026 ndahen 2.500.000 euro.

Arsyetim: Rehabilitimi i këtij shtrati duhet të jetë prioritet, pasi vetëm kështu tokat bujqësore mbrohen nga vërshimet. Në kohën e reshjeve, tokat rreth këtij lumi shpesh vërshohen dhe shkaktojnë humbje të mëdha për bujqit.

AMENDAMENTI 5: Buxheti për Radio Televizionin e Kosovës rritet në 12.000.000 euro.

Arsyetim: RTK-ja ka nevojë për përkrahje për të ngritur kapacitet profesionale dhe për të qenë konkurrent në tregun media. RTK gjithashtu duhet të avancohet drejt një mediumi që mban pozitë qendrore në informimin e plotë dhe të drejtë e të paanshëm, si dhe varietete të programeve kulturore e sportive.

AMENDAMENTI 6: Universiteti i Prizrenit, Universiteti i Pejës, Universiteti i Gjilanit, Universiteti i Gjakovës, Universiteti i Mitrovicës dhe Universiteti i Ferizajt, që janë në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, bëhen organizata të pavarura buxhetore. Buxhetet përkatëse të këtyre institucioneve, që momentalisht janë të paraparë në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për secilën kategori të shpenzimeve barten tek këto institucione.

Arsyetim: Pasi janë miratuar statutet e këtyre universiteteve, nuk ka ndonjë arsye që këto universitete të mos bëhen organizata të pavarura.

AMENDAMENTI 7: Buxheti i paraparë për vitin 2024 në të gjitha nën-programet në kuadër të programit “Pensionet dhe kompensimet”, në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, indeksohen sipas normës vjetore të inflacionit të vitit 2023, të raportuar nga Agjencia i statistikave.

Arsyetim: Karshi normës së lartë të inflacionit gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pensionet dhe kompensimet duhet të rriten në mënyrë që mos të rritet edhe më shumë varfëria në vend.

AMENDAMENTI 8: Ministria i alokon mjetet e parapara për komuna, nga të hyrat e granteve qeveritare dhe nga të hyrat vetanake, pa vonesa dhe në përputhje me planin e rrjedhës së parasë nga ana e Thesarit. Plani i rrjedhës së parasë duhet të përgatitet në konsultim me komunat për të marrë parasysh nevojat e tyre për para gjatë vitit fiskal bazuar në planin e tyre të shpenzimeve. Të hyrat vetanake të komunave alokohen pa vonesa sipas kërkesave të komunave sapo mjetet të jenë inkasuar në Thesar.

Arsyetim: Komunat duhet të marrin grantet dhe të hyrat vetanake pa vonesa, sepse realizimi i projekteve bëhet karshi mjeteve që i zotojnë. Vonesat që ka bërë sivjet Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë shkaktuar kaos duke vonuar projektet që ishin paraparë nga komunat. Vonesa e alokimit të mjeteve deri në fund të muajit gusht ka shtyrë shumë projekte që kanë qenë të parapara nga komunat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Mbrojtjes për Evropën dhe Politikën ndaj…