Këto ndeshje zhvillohen sot në Ligën Unike

06 prill 2021 | 11:45

Sot (e martë) dhe nesër (e mërkurë) do të zhvillohen ndeshjet në çerekfinale të Ligës Unike. Sipas shortit, në çerekfinale do të jenë dy duele në mes të skuadrave nga Kosova dhe Shqipëria, një duel mes skuadrave të Kosovës dhe një mes atyre shqiptare.

Takimi i parë do të jetë në mes të Vllaznisë nga Shkodra dhe Pejës. Këto dy skuadra janë ballafaquar më herët edhe në Ligën Ballkanike, andaj pritet një përballje interesante. Më pas është hapja solemne, ku do të ketë mysafirë specialë. Përballja e dytë është ndërmjet Rahovecit dhe Teutës, ku “Vreshtarët” në shtëpi synojnë kualifikimin në gjysmëfinale, ndërsa durrësakët për të dëshmuar se nuk kanë ardhur me flamur të bardhë.

Të mërkurën do të përballen Goga Basket dhe Tirana.

Skuadra nga Durrësi kishte fituar titullin më 2019, kurse tiranasit kanë fituar 46 trofe në histori të klubit dhe sigurisht se do të mundohen të shtojnë edhe një trofe në sirtar. Dueli i fundit çerekfinal është mes finalistëve të Kupës së Kosovës, Golden Eagle Yllit dhe Prishtinës. Skuadra prishtinase triumfoi në Kupë, ndërsa është skuadra më e trofeshme në vend, madje duke fituar dy herë Ligën Ballkanike, por sigurisht do të bëjë çmos që të fitojë edhe këtë trofe të çmuar.

Në anën tjetër, Ylli ka bërë investime, por nuk ka fituar trofe, andaj triumfi në Ligën Unike do të ishte special për klubin nga Theranda. Garat do të zhvillohen në format të “Final 8” me sistem eliminimi dhe ndeshjet e para çerekfinale do të luhen në Rahovec më 6 dhe 7 prill 2021, ndërsa ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës Unike, do të zhvillohen më 13-14 prill në Durrës. Ndeshjet në Rahovec do të zhvillohen me masa të rrepta anti-Covid-19, duke iu përmbajtur Udhëzuesit për Rikthimin në Fushat e Basketbollit.

ORARI

Të martë takohen:
16:00 Vllaznia-Peja
19:00 Rahoveci-Teuta

Të mërkurën takohen:
16:00 Goga Basket-Tirana
19:00 Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli

Gjysmëfinalet dhe finalet

13 Prill
16:00 Gjysmëfinalja e parë
19:00 Gjysmëfinalja e dytë

14 Prill
16:00 Ndeshja për vendin e tretë
19:00 Finalja e madhe

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një karrierë 30-vjeçare si kërcimtare, aktore, këngëtare dhe bisnesmene,…