Kina do t’i lejojë 2 mijë kazakë të largohen nga shteti

09 janar 2019 | 17:39

Ministria e Jashtme e Kazakistanit ka bërë me dije se Kina është duke lejuar më shumë se 2 mijë kazakë për të hequr dorë nga shtetësia kineze dhe për ta lënë shtetin.

Autoritetet kineze në rajonin e Xinjiangut kanë nisur një fushatë masive të indoktrinimit dhe ndalimit, duke dërguar pothuajse një milion persona në kampe të internimit, të cilat Pekini i përshkruan si qendra të “riedukimit”.

Ish të ndaluarit kanë thënë se janë detyruar të heqin dorë nga kultura dhe besimet e tyre, si dhe kanë qenë subjekt i indoktrinimit politik.

Ndalimi i ujgurëve, kazakëve dhe minoriteteve tjera etnike në kampe është cilësuar si çështje e ndjeshme në Kazakistanin fqinj, i banuar me shumicë myslimane.

Kina është partner i madh tregtar në Astana, andaj mediet e kontrolluara nga shteti në Kazakistan kanë shmangur raportimet për kampe të internimit.

Mirëpo presioni për të vepruar është rritur pas raportimit të medieve ndërkombëtare për këtë çështje.

Ministria e Jashtme e Kazakinstanit ka konfirmuar më 9 janar, raportimet e medieve gjatë muajit dhjetor se Pekini është pajtuar për të lejuar 2,000 kazakë që të largohen nga Kina, raporton “Rel”.

Në deklaratë është përmendur se ata do të lejohen të aplikojnë për shtetësi në Kazakistan apo për qëndrim të përjetshëm.

Megjithatë ministria e Jashtme kineze nuk iu është përgjigjur kërkesave për të komentuar në këtë çështje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Taksa prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës e…