Kina mbyll transportin publik në qytetin ku u paraqit virusi i ri

23 janar 2020 | 12:11

Qyteti kinez ku është paraqitur për herë të parë një virus i ri, ka mbyllur përkohësisht transportin e tij publik.

Autoritetet janë duke u munduar ta parandalojnë përhapjen e virusit, nga i cili deri më tani kanë vdekur 17 njerëz.

Rreth 11 milionë banorë të Vuhanit janë këshilluar të mos lëvizin nga qyteti, në kohën kur shumë banorë udhëtojnë për festën e Vitit të Ri kinez.

Virusi që paraqitet përmes simptomave që përfshijnë temperaturë, koll dhe vështirësi në frymëmarrje, është përhapur edhe në pjesë tjera të Kinës si dhe në Shtetet e Bashkuara, Tajvan, Filipine, Japoni, Kore të Jugut, Tajlandë dhe Australi.

Raportohet se janë konfirmuar më shumë se 500 raste të personave të infektuar me këtë virus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë me dije se do të shqyrtojë shpalljen e një urgjence ndërkombëtare të shëndetit publik, për shkak të virusit.

Në fillim, shkencëtarët kanë thënë se virusi mund të transmetohet vetëm nga kafshët tek njeriu, mirëpo autoritetet kineze kanë njoftuar se sëmundja kalon edhe nga njeriu në njeri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari i posaçëm i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard…