Kjo është përqindja e të papunëve në Kosovë

20 qershor 2019 | 16:24

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP).

Kjo anketë përfshin tremujorin e parë të vitit 2019. Anketa ka përfshirë gjithsej 4 mijë e katër ekonomi familjare që janë përzgjedhur sipas metodës së rastit.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Sipas ASK-së, nga popullsia aktive mbi 60 për qind e tyre nuk janë të punësuar, nuk kanë kërkuar punë, por edhe nuk kanë qenë të gatshëm të fillojnë punë.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është mbi 38 për qind.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e parë 2019 është mbi 28 për qind.

Punësimi më i lartë është të meshkujt 43 për qind, ndërsa punësimi të femrat është mbi 13 për qind.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me mbi 54 për qind të tyre.

Ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me mbi 43 për qind.

Sipas tremujorit të parë të AFP-së 2019 në Kosovë ka pasur 125 mijë e 717 persona të moshës 15-64 vjeç, që ishin të papunë, 88 mijë e 915 nga të cilët ishin meshkuj dhe 36 mijë e 802 femra .

Shkalla e papunësisë ishte mbi 26 për qind më e lartë ishte tek femrat me mbi 31 për qind se sa te meshkujt, me mbi 25 për qind, ka njoftuar ASK-ja.

Kjo agjenci ka bërë me dije se papunësia tek të rinjtë është shumë e lartë në Kosovë.

Në tremujorin e parë të vitit 2019, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit. Papunësia është më e lartë te femrat e reja mbi 60 për qind se te të rinjtë meshkuj mbi 46 për qind.

Pothuaj një e treta 29 për qind e personave të moshës 15 deri 24 vjeçare në Kosovë nuk ishin në shkollim, punësim apo trajnim. Kjo shifër është 30 për qind për femrat e reja krahasuar me 27 për qind për të rinjtë meshkuj.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me mbi 16 për qind, ndërtimtaria me 11 për qind, arsimi me 11 për qind, dhe prodhimi me 11 për qind.

Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se janë pak mbi 39 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 60.9 për qind kanë kontratë të përkohshme.

Pagat neto të shumicës së punonjësve, sipas anketës se ASK-së kanë qenë midis 300 euro deri 400 euro në muaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale për Menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Mitrovicës…